Policia e Fierit forcon masat për menaxhimin e trafikut dhe parandalimin e aksidenteve rrugore

Fier – Menaxhimi i trafikut të rënduar dhe parandalimi i aksidenteve rrugore me pasoja fatale janë në qendër të planit të masave të ndërmarra nga Sektori i Qarkullimit Rrugor pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Fier.
Shefi i Qarkullimit Rrugor, komisar Lulzim Marini, ka bërë të ditur se të gjitha rrugët kryesore, sheshet dhe akset interurbane, veçanërisht ato problematike si Levan–Tepelenë, Fier–Lushnje, Lushnje–Berat dhe Çermë–Divjakë, do të jenë nën monitorim të vazhdueshëm përmes mjeteve inteligjente dhe radarëve.
Sipas Marinit, një nga problematikat kryesore mbetet drejtimi i automjeteve nga të miturit. Në këtë kuadër, ai u ka bërë apel prindërve që të mos lejojnë adoleshentët të ulen në timon, duke theksuar rrezikun e lartë për jetën dhe sigurinë rrugore.
Në fokus të masave është edhe përmirësimi i sinjalistikës rrugore, e cila në shumë akse rurale paraqitet problematike. Për këtë qëllim, Policia e Fierit u ka dërguar shkresa bashkive përkatëse, ndërsa një informacion i detajuar i është përcjellë edhe Autoritetit Rrugor Shqiptar për ndërhyrje dhe mbylljen e kryqëzimeve të rrezikshme si Kryqëzimi i Cakranit, Kafarajt, Vajkanit, rrethrrotullimi i Kolonjës, Kryqëzimi i Pushimit të Shoferit dhe Mbikalimi i Savrës, me qëllim devijimin e trafikut në rrugë alternative.
Ndërkohë, në natën e ndërrimit të viteve do të ketë patrulla të shtuara dhe kontrolle të intensifikuara me aparat drager për drejtuesit e automjeteve që përdorin alkool. Policia Rrugore apelon për kujdes të shtuar gjatë drejtimit të mjetit dhe bashkëpunim nga qytetarët për denoncimin e çdo shkeljeje të Kodit Rrugor në numrat 112 dhe 129.
fieriweb.com




