Policia e Shtetit forcon masat për shkak të motit të keq në disa qarqe të vendit
Për shkak të reshjeve të dendura të dëborës dhe shiut që kanë prekur disa zona të Shqipërisë, Policia e Shtetit ka shtuar praninë e forcave në terren për të monitoruar situatën në rrugë, parandaluar aksidentet dhe ofruar ndihmë për përdoruesit e rrugës.
Situata në akset rrugore:
• “Bypass-Qafë Murrizë” (Dibër): Rruga është bllokuar përkohësisht për shkak të reshjeve të dendura të dëborës. Firma kontraktore po punon për pastrimin.
• Fushë Arrëz – Iballë: Segmenti Qafë Shari – Laku i Ballçit mbetet i pakalueshëm për shkak të erës së fortë dhe dëborës. Po punohet me mjete të rënda për hapjen e rrugës.
• Qafë Thanë – Librazhd: Qarkullimi është i vështirë për kamionët për shkak të dëborës së pandërprerë.
• Akset e tjera rrugore: Janë të hapura, por ekipet e mirëmbajtjes vijojnë pastrimin dhe hedhjen e kripës për të siguruar lëvizjen e automjeteve.
Apeli i Policisë për qytetarët:
Drejtuesit e automjeteve këshillohen të tregojnë kujdes maksimal, të përdorin goma dimërore dhe zinxhirë në rrugët e mbuluara me dëborë, të shmangin parakalimet e gabuara dhe të ndjekin udhëzimet e policisë rrugore.
Në rast nevoje, qytetarët mund të telefonojnë në numrin pa pagesë 112, ku ekipet e Policisë janë në gatishmëri për të ofruar ndihmë.
Policia e Shtetit garanton praninë e saj 24/7 për sigurinë e të gjithë përdoruesve të rrugës.