Policia e Vlorës zbardh pesë ngjarje në një ditë: vetëplagosje, arrestim, dhunë dhe një person i zhdukur

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë ka raportuar një sërë ngjarjesh të ndodhura në datat 2-4 gusht, ku për disa prej tyre janë nisur procedime penale, ndërsa të tjera janë në hetim.
Më datë 04.08.2025, rreth orës 23:00, në fshatin Bolenë, Himarë, shtetasi P. B., 46 vjeç, dyshohet se është vetëplagosur aksidentalisht me armën e tij të gjahut të llojit çifte, e cila rezulton se ishte me leje. Ai ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Po të njëjtën datë, në Sarandë, u arrestua shtetasi I. J., 25 vjeç, pasi u konstatua nga policia në rrugën “Adem Sheme”, jashtë banesës, duke thyer masën e sigurisë “arrest në shtëpi”. Ai gjithashtu nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të policisë për të ndaluar.
Ndërkohë, në Vlorë, shtetasi L. M., 51 vjeç, dyshohet se është rrëzuar aksidentalisht nga lartësia, teksa punonte në banesën e tij. Ai është dërguar në Spitalin e Traumës në Tiranë, për ndihmë mjekësore të specializuar.
Në Delvinë, nisi procedimi penal ndaj shtetasit A. Ç., 35 vjeç, i cili dyshohet se ka goditur me gur në kokë një 59-vjeçar, pas një konflikti për motive të dobëta.
Gjithashtu, në Stacionin e Policisë Dhërmi, është paraqitur një kallëzim nga shtetasi K. Z., 24 vjeç, banues në Tiranë, i cili ka raportuar se vëllai i tij, A. Z., 27 vjeç, është larguar nga një hotel në Dhërmi dhe nuk ka më asnjë kontakt me të. Policia ka shpallur në kërkim të riun dhe vijon puna për gjetjen e tij.
Materialet për këto raste janë referuar në Prokuroritë përkatëse për veprime të mëtejshme procedurale.




