Policia e Vlorës: Zhvillime nga hetimet për plagosjen me armë zjarri në Sarandë dhe ngjarje të tjera në qark

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë ka njoftuar zhvillime të reja lidhur me disa ngjarje të ndodhura në territorin e saj, përfshirë arrestime, procedime penale dhe kallëzime të depozituara në Prokurori.
Në vijim të hetimeve për plagosjen me armë zjarri të ndodhur më datë 17 korrik 2025, në lagjen nr. 3 të Sarandës, ku mbetën të plagosur dy shtetas, specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda ekzekutuan urdhrin e ndalimit të lëshuar nga Prokuroria më datë 19.07.2025, ndaj shtetasit A. M., 43 vjeç, banues në Sarandë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim si i dyshuar për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.
Ndërkohë, në Vlorë, specialistët për Hetimin e Krimeve kanë nisur procedim penal ndaj shtetases E. N., 42 vjeçe, banuese në këtë qytet, pas kallëzimit të bërë nga ish-bashkëshorti i saj. Ai ka pretenduar se kjo shtetase ka shkelur vendimin e Gjykatës duke mos e lejuar të takojë fëmijën.
Në një tjetër rast të ndodhur më 19 korrik në rrugën “Onhezmi” në Sarandë, janë proceduar penalisht shtetasit E. N., 30 vjeç, dhe I. N., 22 vjeç, banues në fshatin Gjashtë. Ata dyshohet se, pas një konflikti për motive të dobëta, kanë goditur me grushta shtetasin I. D., 25 vjeç.
Po në Sarandë, shtetasi V. V., 47 vjeç, banues në Ksamil, ka bërë kallëzim ndaj shtetasit K. H., 55 vjeç, banues në Pensilvani, SHBA, me pretendimin se ky i fundit e ka kërcënuar dhe po tenton t’i zërë një sipërfaqe toke në Ksamil. Materialet janë referuar për vlerësim nga organet kompetente.
Ndërkohë, specialistët e Seksionit të Trafikut Urban dhe Interurban Sarandë arrestuan në flagrancë shtetasin F. P., 20 vjeç, banues në Itali, pasi u konstatua duke drejtuar automjetin tip “Volkswagen”, në rrugën “Butrinti”, në gjendje të dehur.
Po nga këta specialistë, u procedua penalisht shtetasi O. K., 20 vjeç, banues në Sarandë, pasi në rrugën “Studenti” u përplas me një motomjet tip “Dayang”, me drejtues shtetasin K. H., 21 vjeç, banues në Sarandë. Si pasojë, ky i fundit ka pësuar dëmtime dhe është transportuar në Spitalin e Traumës në Tiranë, jashtë rrezikut për jetën.
Të gjitha materialet janë referuar në Prokuroritë përkatëse për veprime të mëtejshme procedurale.




