Policia Fier/ Procedime penale për narkotikë, dh*në dhe shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor

Drejtoria Vendore e Policisë Fier informon se shërbimet e saj kanë kryer një sërë veprimesh policore, duke referuar materiale në Prokurori për disa raste të shkeljeve penale në territorin e qarkut Fier.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë kapën në flagrancë një shtetas të mitur, 16 vjeç, të cilit iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis sativa, një mjet prerës (thikë) dhe një përforcues grushti, në cilësinë e provës materiale. Në përfundim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Fier referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për të miturin.
Gjithashtu, specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori për një shtetas të mitur, 17 vjeç, pasi u kap duke drejtuar automjetin pa leje drejtimi.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier referuan materialet në Prokurori dhe nisën procedimin penal për:
- S. Ç., 48 vjeç, banues në Fier, pasi ka goditur me mjet prerës një shtetas 37 vjeç, për motive të dobëta;
- E. K., 56 vjeç, banues në Fier, pasi ka goditur me grushte një shtetas 54 vjeç, për motive të dobëta.
Nga Komisariati i Policisë Lushnjë, u referuan materiale në Prokurori për shtetasin A. M., 35 vjeç, banues në fshatin Kashtbardhë, Lushnjë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj nënës së tij.
Ndërkohë, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Divjakë referuan materialet në Prokurori për:
- D. K., 32 vjeç dhe N. H., 46 vjeç, të dy banues në fshatin Çermë Shkumbin, pasi janë konfliktuar me njëri-tjetrin për motive të dobëta;
- M. T., 42 vjeç, banues në Divjakë, pasi ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj fëmijëve të tij të mitur, të cilët janë të pajisur me urdhër mbrojtjeje ndaj tij.
Të gjitha materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme ligjore.




