Policia jep detaje për arrestimin e Moisi Habilajt në Borsh
Policia e Shtetit ka zbardhur detaje nga operacioni i koduar “Metodat”, i cili çoi në arrestimin e Moisi Habilajt, një person i konsideruar me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe i shumëkërkuar nga autoritetet italiane.
Sipas njoftimit zyrtar, Habilaj, 48 vjeç, banues në Babicë të Vogël, Vlorë, u lokalizua në një lokal në Borsh falë punës intensive hetimore dhe përdorimit të metodave speciale të hetimit. Ai u arrestua provizorisht me qëllim ekstradimin drejt Italisë.
Autoritetet bëjnë me dije se Gjykata e Katanias e ka dënuar Habilajn me 12 vjet, 2 muaj e 13 ditë burgim për veprën penale “Pjesëmarrje në organizatë kriminale të armatosur me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”.
Ndërkohë, ndaj tij u ekzekutua edhe masa e sigurisë “Arrest në burg”, e vendosur nga Gjykata e Krimeve të Rënda në Shqipëri për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, si dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.
Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë edhe shtetasi E.A., 46 vjeç, banues në Sarandë, ndërsa shtetasi italian S.F., 70 vjeç, u procedua në gjendje të lirë për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.




