Policia shqiptare thellon bashkëpunimin me partnerët europianë në kuadër të “EMPACT për Armët e Zjarrit”

Policia e Shtetit po forcon bashkëpunimin me partnerët europianë në kuadër të platformës EMPACT për Armët e Zjarrit, një nga mekanizmat kryesorë të Bashkimi Europian për adresimin e kërcënimeve serioze ndaj sigurisë.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, priti në një takim kortezie përfaqësues të platformës EMPACT dhe të projektit FORTIFY, përkatësisht Koordinatorin e JAD SEE, z. Carlos del Moral, si dhe ekipin e tij mbështetës, të përbërë nga z. Servulo Medina Castellanos, Drejtor i Përgjithshëm i projektit FORTIFY (njëkohësisht drejtues i projektit EVOLUXER), z. Sergio Vidal dhe znj. Alicia Barrio.

Gjatë takimit, Drejtor Proda theksoi se Policia e Shtetit mbetet e angazhuar për thellimin e bashkëpunimit hetimor dhe operacional me agjencitë ligjzbatuese dhe partnerët ndërkombëtarë, duke vënë në dispozicion kapacitetet më të mira profesionale dhe logjistike.

“Bashkëpunimi me shtetet partnere të Bashkimit Europian dhe strukturat përkatëse europiane, duke përfshirë bashkëpunimin e ngushtë me Europol-in dhe mbështetjen strategjike e financiare të Komisioni Europian, bazohet në besimin e ndërsjellë, shkëmbimin e informacionit në kohë reale dhe koordinimin e fortë operativ. Kjo qasje e integruar ka rritur ndjeshëm efektivitetin e reagimit të përbashkët kundër rrjeteve kriminale me rrezik të lartë,” u shpreh Proda.
Nga ana e tij, Koordinatori i JAD SEE, Carlos del Moral, falënderoi Drejtorin e Përgjithshëm për pritjen dhe vlerësoi profesionalizmin dhe angazhimin maksimal të strukturave të Policisë së Shtetit gjatë bashkëpunimeve operacionale, duke garantuar mbështetje dhe thellim të mëtejshëm të partneritetit.

Policia e Shtetit ka një rol aktiv dhe të përgjegjshëm brenda kornizës së EMPACT për Armët e Zjarrit, duke reflektuar angazhimin për të qenë partnere e besueshme, proaktive dhe e orientuar drejt rezultateve në luftën kundër trafikimit të armëve të zjarrit dhe formave të tjera të krimit të organizuar ndërkombëtar.




