Porti i ri i Durrësit, Rama: Impakt në ekonomi dhe siguri, do t’i ofrojë NATO-s bazë të re ushtarake! Punësime me paga të larta
“Ky është një moment kuptimplotë për ne dhe mua personalisht. Kur ne themi që do të bëjmë këtë apo të, kur bëhet fjalë për projekte të tilla, nga e thëna në të bërë është një det i tërë. Projektet nuk nisin në momentet kur publikohen si sot, në formën e thirrjes kur shprehet interesi nga kompanitë. Nisin kur fillon procesi i krijimit të grupit të ekspertëve, i oponencës, është një histori gjithmonë më e gjatë sesa dëshira dhe sesa limitet e durimit. Qytetarët dëgjojnë dhe presin, durimi nuk është ndër virtytet e shqiptarëve, është një nga mallrat më të rrallë. Është mirëkuptueshme për shqiptarët sepse kanë pritur shumë, shekuj që të bëjnë zgjedhjen e tyre. Kanë jetuar nën zgjeda që kanë ardhur si rezultat e i zgjedhjes së të tjerëve për ta. Shqiptarët jetojnë me zgjedhjen e tyre. Kanë zgjedhur që ky vend të bëhet pjesë e familjes së tyre.
E shkuara është barrë e madhe, si porti i Durrësit në qendër të qytetit, një plagë mjedisore, fizike, që ka bërë në vazhdimësi dëm të madh, por edhe një pagë në aspektin socio ekonomik. Gjithë ajo rrëmujë ka qenë një zonë e errët e veprimtarive të paligjshme dhe kriminale. Largimi nga qendra dhe vendosja këtu tërësisht me një tipologji me pëmasa të reja, është hapja e kapitullit të ri të qytetit dhe historinë e sigurisë sonë kombëtare. Ky projekt ka garanci të mëdha, një prej kompanive më të shkëlqyera që ka bota, kompani e krijuar në vitin 1881 nga dy gentleman holandez. Në vitin 19981, ka mbushur 100 vjet dhe ka marrë nga mbreti apo mbretëresha e kohës, nga kurora mbretërore, edhe titullin mbretëror. Ka sjellë mundësinë të kemi një nga mjeshtrat më mbresëlënës të gjithë botës së inxhinierisë, që është Eriku që foli pak më parë.
Deti ka shumë specie, më e frikshme është peshkaqeni, kompanitë që ndërtojnë porte, janë peshkaqenët e tokës. Ne kemi 5 kompani të listuara si më të mëdhatë në botë, që tregon se çfarë interesi ka ky port. Të gjithë në fund do dalin të fituar dhe të lumtur.
Ky port do të impaktojë sigurinë tonë, duke i ofruar NATO-s një bazë të re ushtarake me parametra optimale. Ky port që ndërtohet nga e para, është një port i ri në Europë pas shumë e shumë dekadash. Ne kemi fatin që duke qenë në fund të kësaj kolone të gjatë, të marrim përfitimin e dijeve ndër vite, të kemi një port që do të jetë shembull ekselence.
Ky port do të lidhë tregtinë me pjesën tjetër të rajonit dhe më gjerë, përmes hekuruadhave dhe përmes dy porteve që do ndërtohen në Prishtinë dhe Strugë, do të orientojë shumë flukse tregtare. Porto do të sjellë punësim cilësor të mirëpaguar.”u shpreh Rama.