Prej dy javësh nën monitorim nga Policia dhe SPAK/ Si ra në pranga Ergys Agasi bashkë me “krahun e djathtë” të Prodës. Sekuestrohen disa çanta

Detaje të reja janë zbardhur nga operacioni për arrestimin e Ergys Agasit, i cili prej rreth dy javësh ishte nën monitorimin e Policisë dhe SPAK.
Sipas raportimit të gazetares Klodiana Lala për BalkanWeb, dy strukturat kanë bashkëpunuar ngushtë për lokalizimin e Agasit. Ai është mbajtur nën vëzhgim fillimisht në Elbasan, ndërsa më pas është ndjekur lëvizja e tij drejt Durrësit, ku është arrestuar në zonën e Plepave.
Në të njëjtin aksion është arrestuar edhe Uljan Shpataraku, ish-punonjës policie. Sipas raportimit, Shpataraku dyshohet se akuzohet për përkrahje të autorit të krimit, në këtë rast Ergys Agasit. Shpataraku, sipas Lalës, ka qenë person i besuar i ish-drejtorit të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, dhe dyshohet se ka pasur ndikim të konsiderueshëm brenda strukturave të Policisë së Shtetit.
Gjatë aksionit janë sekuestruar edhe disa sende personale, mes tyre çanta, por ende nuk dihet se çfarë përmbajtje kanë pasur ato. Operacioni vijon dhe pritet që në orët në vijim të ketë një deklaratë zyrtare nga Policia, e cila pritet të japë më shumë detaje mbi arrestimet dhe akuzat ndaj dy personave.




