Preku zemrat e shqiptarëve me thirrjen për ndihmë, 32-vjeçari nga Mallakastra nuk ia del përballë sëmundjes së rëndë

Ajet Alibehaj, 32-vjeçari nga Mallakastra, i cili rreth tetë muaj më parë kërkoi ndihmën e shqiptarëve për të përballuar betejën e tij të vështirë me kancerin, fatkeqësisht ka ndërruar jetë mëngjesin e kësaj të marte, më 7 prill 2026.
Ai ishte diagnostikuar me limfomë, një sëmundje e rëndë dhe agresive, që e vuri përballë një lufte të gjatë dhe të lodhshme. Megjithatë, Ajeti nuk e humbi kurrë shpresën dhe e përballoi këtë sfidë me forcë dhe besim për jetën.
Gjatë kësaj kohe, ai iu nënshtrua disa ndërhyrjeve kirurgjikale jashtë vendit dhe, së fundmi, kërkoi mbështetjen e shqiptarëve për të siguruar fondet e nevojshme për një ndërhyrje të fundit në Turqi.
Rasti i tij preku zemrat e shumë njerëzve, duke bërë që shqiptarët të bashkohen dhe t’i gjenden pranë familjes Alibehaj. Falë kësaj mbështetjeje, Ajeti arriti të dërgohej në një nga spitalet e Stambollit, ku kishte ende një shpresë për shërim. Por, pavarësisht përpjekjeve dhe trajtimeve të shumta, ai nuk arriti ta fitojë këtë betejë.
Mallakastra News




