Prindërit e Nertil Buzit: Konflikti nisi për një shumë parash të dërguar nga Anglia, i bëjmë thirrje të dorëzohet
Prindërit e Nertil Buzit, 35-vjeçarit që mëngjesin e sotëm vrau ish-vjehrrin, plagosi ish-vjehrrën dhe mori peng ish-bashkëjetuesen e tij, kanë reaguar për herë të parë pas ngjarjes së rëndë, duke hedhur akuza ndaj familjes së vajzës për konfliktin që, sipas tyre, çoi në këtë tragjedi.
Sipas tyre, shkaku i përplasjes ka qenë një shumë parash që Nertili kishte dërguar nga Anglia në llogarinë bankare të ish-bashkëjetueses gjatë kohës që jetonin së bashku. Prindërit pretendojnë se, pas ndarjes, djali i tyre kishte kërkuar vazhdimisht kthimin e këtyre parave, por familja e vajzës nuk kishte pranuar t’ia kthente.
Ata thonë se mosmarrëveshja për këtë shumë ka qenë në qendër të konfliktit mes dy familjeve. Megjithatë, këto janë pretendime të familjarëve të autorit dhe nuk janë konfirmuar nga autoritetet hetimore.
Në deklaratën e tyre, prindërit shprehin gjithashtu keqardhje të thellë për humbjen e jetës së ish-vjehrrit dhe për ngjarjen e rëndë, ndërsa i bëjnë një thirrje publike djalit të tyre që të dorëzohet tek autoritetet dhe të mos ndërmarrë asnjë veprim tjetër që mund të rëndojë edhe më tej pasojat e kësaj tragjedie.




