Procesi i numërimit për zarfet nga Greqia/ Përfundon seanca në KQZ, Celibashi: Vendimi shpallet në orën 15:00

Ka përfunduar seanca në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ku u shqyrtua kërkesa e Partisë Socialiste të Shqipërisë për marrjen e masave lidhur me vijimin e rregullt të procesit të numërimit dhe vlerësimit të votave të ardhura nga jashtë vendit, konkretisht nga Greqia.
PS kërkoi që vendimi i mëparshëm i KQZ-së, që parashikonte ndarjen dhe trajtimin e veçantë të këtyre zarfeve për shkak të dyshimeve mbi rregullsinë e procesit, të shfuqizohet. Gjatë seancës u dëgjuan argumentet e palëve, mes shqetësimeve për integritetin e votës dhe pretendimeve për ndërhyrje politike në procesin zgjedhor.
Ndërkohë që koalicioni opozitar kërkon veçimin e zarfeve të ardhur nga shteti fqinj dhe informacion se si janë dorëzuar apo marrë këto zarfe nga kompani e shërbimit postar DHL.
“Në asnjë moment s’ka qenë qëndrimi i PD që zarfet të mos i nënshtrohen vlerësimit dhe numërimit. Ne kemi kërkuar të veprojmë në këtë fazë duke u mbajtur në vende të veçantë.
Vetë KSHZ i është drejtuar më një kërkesë operatorit të shërbimit postar për informacion dhe pastaj të shohim sa nga 53 mijë zarfeve reflektojnë vullnetin e lirë.
Ne kemi kërkuar që në këtë fazë të veçohen, ashtu siç ka ndodhur. Të presim të marrim informacionin që do na sjellë DHL dhe pasi të administrohet informacioni le të vijomë këtu dhe të mbajmë qëndrimet përkatëse.”, tha Logu.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, në përfundim të seancës deklaroi se vendimi për këtë çështje do të shpallet në orën 15:00.