Prokuroria çon në Gjykatën e Lartë çështjen e Luiz Ejllit, kërkohet rikthimi i dënimit me 1 vit burg

Çështja gjyqësore ndaj këngëtarit Luiz Ejlli merr një tjetër zhvillim, pasi Prokuroria e Apelit ka ankimuar vendimin e pafajësisë dhe e ka dërguar dosjen për shqyrtim në Gjykata e Lartë.
Më 8 maj 2025, Gjykata e Apelit e shpalli të pafajshëm Ejllin, duke rrëzuar vendimin e mëparshëm të Gjykata e Shkallës së Parë, e cila e kishte dënuar me 1 vit burg për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve. Megjithatë, organi i akuzës nuk është pajtuar me këtë vendim dhe kërkon rikthimin e dënimit.
Sipas akuzës, ngjarja lidhet me përdorimin e vulave për kryerjen e veprimeve ligjore në një periudhë kur Ejlli nuk ushtronte zyrtarisht profesionin e noterit. Prokuroria pretendon se provat e administruara në dosje mbështesin akuzën dhe duhet të rivlerësohen nga shkalla më e lartë e gjyqësorit.
Relator i çështjes në Gjykatën e Lartë është caktuar gjyqtari Sokol Binaj, i cili do të shqyrtojë rekursin e paraqitur.
Në të njëjtën dosje përfshihet edhe Fatmir Avdurramani, i dënuar bashkë me këngëtarin dhe me precedentë penalë në Itali.
Vendimi i Gjykatës së Lartë pritet të jetë përfundimtar dhe përcaktues për fatin juridik të Luiz Ejllit.




