Prokuroria Fier çon në gjyq ish-Drejtorin dhe specialistët e Agjencisë Rajonale të Mjedisit për shpërdorim detyre

Fier – Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim drejtuesin dhe disa specialistë të Agjencisë Rajonale të Mjedisit Fier/Vlorë/Gjirokastër, të akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal.
Sipas Prokurorisë, nga hetimet e procedimit penal nr. 1051 është provuar se drejtori dhe specialistët e kësaj agjencie kanë vepruar dhe mosvepruar në kundërshtim me ligjin, duke mos përmbushur rregullisht detyrat e tyre funksionale, pavarësisht rekomandimeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe auditimeve të brendshme të Ministrisë së Mjedisit.
Hetimet zbuluan se punonjësit e Agjencisë Rajonale të Mjedisit kanë miratuar dhe refuzuar leje mjedisore të tipit “C” në kundërshtim me kriteret ligjore dhe nënligjore, pa kryer verifikime në terren dhe, në disa raste, në mungesë të dokumentacionit të detyrueshëm. Po ashtu, janë konstatuar standarde të ndryshme vendimmarrjeje, duke favorizuar disa subjekte dhe penalizuar të tjera pa bazë ligjore.
Gjithashtu, një numër i konsiderueshëm subjektesh të pajisura me leje mjedisore nuk kanë dorëzuar raportet e detyrueshme të vetëmonitorimit, ndërkohë që Drejtoria Rajonale e Mjedisit Fier nuk ka kërkuar pezullimin apo revokimin e lejeve, siç e parashikon ligji.
Një tjetër shkelje e rëndë lidhet me mosvjeljen e tarifave vjetore të lejeve mjedisore, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm ekonomik mbi 3 milionë lekë për periudhën 2017–2019. Konkretisht, për vitin 2017 nuk kanë likuiduar tarifën 424 subjekte në vlerën 848 mijë lekë, për vitin 2018 – 421 subjekte në shumën 842 mijë lekë, dhe për vitin 2019 – 702 subjekte në shumën 1 milion e 404 mijë lekë, duke mos u realizuar të ardhura në total prej 3 milion e 94 mijë lekësh.
Në përfundim të hetimeve, Prokuroria Fier ka ngritur akuzë dhe ka dërguar për gjykim shtetasit:
- Arben Voja, ish-Drejtor i Drejtorisë Rajonale të Mjedisit Fier, aktualish drejtor i spitalit rajonal;
- B.F., specialist për lejet mjedisore dhe VNM-të;
- E.B., specialist për lejet mjedisore dhe VNM-të;
- E.Z., specialist për lejet mjedisore dhe VNM-të;
- E.B., specialiste për lejet mjedisore dhe VNM-të;
- V.G., specialiste monitorimi;
- P.T., specialist finance pranë Agjencisë Rajonale të Mjedisit Fier/Vlorë/Gjirokastër.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier shprehet se mbetet e angazhuar në vënien para përgjegjësisë ligjore të çdo punonjësi shtetëror apo personi në shërbim publik që kryen vepra penale kundër veprimtarisë shtetërore.
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të provohet me vendim gjyqësor të formës së prerë.




