Pronari e la makinën të ndezur, i vjedhin “Audin Q5”/ Gjatë arratisjes përplasi edhe një polic

Një shtetas italian është arrestuar nga policia në Tiranë, pasi dyshohet se vodhi një automjet tip “Audi Q5” dhe tentoi t’i shpëtonte policisë.
Ngjarja ndodhi në një rrugë dytësore, në momentin kur pronari kishte dalë nga automjeti duke e lënë atë të ndezur. Sipas të dhënave, italiani ka hipur në makinë dhe është larguar menjëherë.
Pas sinjalizimit për vjedhjen, policia është vënë në ndjekje të tij në zonën e Astirit. Gjatë arratisjes, ai ka kryer manovra të rrezikshme dhe është përplasur me disa automjete.
Si pasojë e ngjarjes është lënduar edhe një punonjës policie, i cili fatmirësisht nuk ka pësuar dëmtime të rënda.
Pas ndjekjes, efektivët kanë arritur ta ndalojnë dhe ta arrestojnë shtetasin italian. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se ai ishte nën efektin e lëndëve narkotike.




