Protagonist i barbarisë ndaj vëllezërve Maja, dy ditë më parë dhunoi familjen Caca/ Kush është Flamur Rraja, vëllai i ish-deputetit të PS, Rrahman Rraja
Fisi Rraja është bërë sërish protagonist i një konflikti në Nikël në Fushë Krujë. Flamur Rraja, vëllai i ish-deputetit të Partisë Socialiste, Rrahman Rraja, u shpall në kërkim nga Policia e Krujës, pas një sherri për motive pronësie që ka pasur me familjen Caca. Në kërkim u shpall edhe djali i Flamur Rrajës, Ariel Rraja, që është nipi i deputetit të PS-së.
Por kush është Flamur Rraja?
Flamur Rraja, përpos ngjarjes të para dy ditëve, dyshohet se më datë 6 korrik 2023, së bashku me anëtarë të tjerë të fisit Rraja ka ushtruar dhunë fizike ndaj anëtarëve të fisit Maja po në Nikël. Në një video të shpërndarë në rrjetet sociale, u shfaq dhuna barbare e ushtruar nga Flamur Rraja, që kishte thirrur në ndihmë edhe vëllanë e tij, Xhelal Rraja.
Pas ngjarjes, policia ka marrë dëshmitë e dy kushërinjve Jashar dhe Bilbil Maja, të dhunuar nga fisi Rraja. Policia ka shkuar në banesat e dy të dhunuarve Jashar dhe Bilbil Maja dhe ka marrë deklaratat e tyre për ngjarjen.
Në dëshminë në polici, Bilbil Maja ka thënë se ka qenë në lokal me kushëririn duke folur me inxhinierin e firmës dhe më pas në një moment sipas tij me armë në dorë janë afruar vëllezërit Xhelal dhe Flamur Rraja, të cilët sipas dëshmisë së Bilbil Majës, i kanë thënë të shtrihet në dysheme, duke i drejtuar armën në bark dhe e kanë ofenduar. Sipas dëshmisë në polici të Bilbil Majës, kur është shtrirë në dysheme ka parë edhe persona të tjerë të afrohen me shkopa bejsbolli dhe e kanë sulmuar.
“Në lokal pashë që kur u shtriva në dysheme u futën edhe katër persona të tjerë, ishte edhe “Caku” që është pronar i gurores. Kishin në duar shkopinj me të cilët na godisnin. Flamur Rraja më ka goditur me shulin e pistoletës, kurse Xhelal Rraja më goditi nga mbrapa në shpinë me qytën e pistoletës.”, ka thënë në polici Bilbil Maja.
Ngjarja e rëndë ndodhi, pasi banorët e Niklës denoncuan në Policinë e Fushë Krujës, si dhe protestuan në rrugë se aktiviteti i një guroreje në pronësi të Përparim Rrajës, kushëririt të deputetit socialist të dorëhequr pas ngjarjes, Rrahman Rraja, po u shkatërronte shtëpitë.
Kushërinjtë Bilbil dhe Jashar Maja, u goditën dhe u kërcënuan me armë nga anëtarë të fisit Rraja, mes tyre djali i ish-deputetit Rexhep Rraja, vëllezërit Flamur dhe Xhelal Rraja, Përparim Rraja, Klajdi Rraja dhe Edison Meta. Kjo ngjarje bëri që Rrahman Rraja të lërë mandatin e deputetit.