Protesta u bë, populli nuk erdhi, lideri nuk pati kohë.

Sali Berisha thirri një protestë “të fuqishme” kundër grabitjes së zgjedhjeve, por mungoi vetë. Po ashtu munguan edhe shumë nga krerët kryesorë të Partisë Demokratike. U hodh alibia për vjedhje votash, u organizua një protestë e vakët, dhe sot jemi sërish në pritje të zgjedhjeve të radhës, pas dy vitesh, me të njëjtën retorikë, të njëjtët emra dhe të njëjtën tragjikomedi politike.
Pamjet me dron nga sheshi treguan të vërtetën që fjalimet politike nuk e fshehin dot: pjesëmarrje minimale, entuziazëm zero dhe një protestë që më shumë ngjante me një dalje rutinë në qendër se sa një përballje serioze kundër një qeverie që opozita e akuzon për vjedhje masive të votës.
Por, edhe më e rëndë se dështimi organizativ ishte heshtja kolektive e deputetëve dhe simpatizantëve të PD-së. Asnjë guxim për të kërkuar llogari. Asnjë pyetje. Asnjë zë që të thotë: “Mjaft më me këtë farsë.” Opozita është kthyer në një mjet në duart e një njeriu që po përdor çdo kauzë publike për të mbrojtur interesat personale dhe familjare.
Në vend të një force politike që duhet të sfidojë pushtetin me alternativë dhe moral, kemi një strukturë që funksionon si mburojë për të kaluarën dhe si çadër për interesat e ngushta të një grupi individësh. Mbi këtë çadër është hedhur mish për top e gjithë opozita, e cila sakrifikohet politikisht çdo ditë në emër të një beteje personale që nuk përfaqëson më askënd.
Opozita nuk humbi vetëm një protestë. Ajo po humbet besimin, dinjitetin dhe të ardhmen. Dhe populli — që me të drejtë kërkon ndryshim — mbetet i pafuqishëm mes një qeverie arrogante dhe një opozite të vetëdjegur.
Nëse kjo situatë vazhdon, nuk është çështje nëse opozita do të humbasë zgjedhjet e ardhshme. Ajo thjesht nuk do të ekzistojë më si alternativë reale./Fieri Web