Protestë 48-orëshe në Mal të Zi, bllokohet qarkullimi i kamionëve nga Shqipëria

Autoritetet malazeze kanë njoftuar se më 26 janar 2026, duke nisur nga ora 11:30, Shoqata e Kamionistëve të Republikës së Malit të Zi do të zhvillojë një protestë që do të zgjasë 48 orë.
Si pasojë e kësaj proteste, për arsye sigurie dhe për të shmangur bllokimin e rrugëve apo incidente të mundshme, do të ndalohet qarkullimi i mjeteve të tonazhit të rëndë nga Shqipëria drejt Malit të Zi deri në përfundim të protestës.
Autoritetet bëjnë me dije se në akset rrugore që të çojnë drejt vendkalimeve kufitare me Malin e Zi do të lejohen të qarkullojnë vetëm automjetet e vogla, mjetet e emergjencës, autobusët dhe mjetet e transportit të pasagjerëve.
Policia Kufitare u bën thirrje drejtuesve të mjeteve të tonazhit të rëndë të tregojnë mirëkuptim dhe të respektojnë kufizimin e përkohshëm të lëvizjes, me qëllim shmangien e bllokimit të rrugëve dhe incidenteve të mundshme.




