Protestë në Fier/ Shoqata “Pëllumbat e Postës 2003” akuza ndaj KOKSH: Po na pengojnë garat ndërkombëtare

Dhjetra anëtarë të shoqatës “Pëllumbat e Postës 2003” kanë zhvilluar një protestë ditën e sotme në Fier, duke ngritur shqetësimin se po pengohen të marrin pjesë në garat ndërkombëtare jashtë vendit.
Sipas përfaqësuesve të shoqatës, shkak është bërë një shkresë zyrtare e dërguar nga KOKSH drejt doganave, ku pretendohet se anëtarët e kësaj shoqate nuk lejohen të zhvillojnë aktivitete ndërkombëtare pa u regjistruar pranë federatës përkatëse.
Ata deklarojnë se janë një shoqatë e njohur ndërkombëtarisht, e organizuar prej vitesh dhe pjesëmarrëse në gara kombëtare e ndërkombëtare në Ballkan dhe në vende të ndryshme të Europës.
Sipas tyre, sportistët udhëtojnë rregullisht me automjete dhe kafaze me pëllumba drejt vendeve ku zhvillohen aktivitetet dhe më pas rikthehen normalisht në Shqipëri, pa hasur probleme deri më sot.
Anëtarët e shoqatës pohuan gjithashtu se disa javë më parë janë përballur me probleme edhe në kufirin me Kroacinë, ku u është bllokuar kalimi për shkak të kësaj situate administrative.
Protestuesit theksuan se shoqata e tyre renditet mes më të mirave në botë për rezultatet sportive, ndërsa kundërshtojnë detyrimin për t’u regjistruar pranë federatës, duke argumentuar se funksionojnë si organizatë e pavarur dhe e njohur ndërkombëtarisht.
Në përfundim, ata paralajmëruan se nëse do të ndalohen sërish në doganë, protesta e tyre do të përshkallëzohet.




