Pse u arrestua me dhunë Ilir Meta? Hoxha: Policia e Shtetit dje kreu detyrën dhe u detyrua ta kryente duke përdorur forcën
Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha thekson se Policia e Shtetit dje kreu detyrën dhe u detyrua ta kryente duke përdorur forcën gjatë arrestimit të Presidentit të Partisë së Lirisë Ilir Meta.
Hoxha thekson se trupat e angazhuara për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës fatkeqësisht u përballën me një subjekt, që kundërshtoi forcërisht t’i nënshtrohej vendimit të Gjykatës, sapo mori dijeni për të.
REAGIMI I PLOTË I MINISTRIT HOXHA
Kam ndjekur me vëmendje dhe respekt opinionet e një sërë analistësh të angazhuar mbrëmë, lidhur me ndalimin e shtetasit Ilir Meta, nga Policia e Shtetit.
Fjalori ka qenë ekstrem për mënyrën sesi u ekzekutua urdhri i Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, ndaj shtetasit në fjalë.
Janë përdorur etiketime të rënda ndaj Policisë dhe janë akuzuar efektivët e saj për faje, që nuk i kanë bërë, dhe reagimi ndaj rezistencës me forcë të personit, që kishin detyrë të ndalonin është nxjerrë jashtë kontekstit të ngjarjes.
Janë hedhur edhe variante alternative për mënyrën se si duhej kryer, ku duhej kryer, e kur duhej kryer ndalimi i shtetasit Ilir Meta, për shkak të asaj çka ai ka përfaqësuar në dekadat e jetës politike shqiptare.
Nuk dua të bëj asnjë polemikë me zotërinjtë dhe zonjat e angazhuara, në ekranet e këtij diskutimi.
Ata kishin mbrëmë, përtej pozicionimeve të njohura, edhe avantazhin e spektatorit në dhënien e gjykimeve, jashtë dinamikës dhe tensionit të ngjarjes.
Por e ndjej për detyrë të shprehem në emër të atyre efektivëve, të cilët nuk e meritojnë trajtimin tejet tendencioz, që iu bë operacionit të tyre.
Për zbatimin e vendimit të Gjykatës u angazhuan efektivë të Forcës Lëvizëse Operacionale, forcë e posaçme e trajnuar dhe specializuar për të ndjekur protokollet standarde sipas rastit, dhe jo punonjës të Rendit, që është një forcë shërbimi ditor.
Ata fatkeqësisht u përballën me një subjekt, që kundërshtoi forcërisht t’i nënshtrohej vendimit të Gjykatës, sapo mori dijeni për të.
Kjo është zanafilla e ngjarjes dhe nga këtu fillon arsyetimi sipas protokollit, që Policia e Shtetit ndjek në ekzekutimin e një vendimi ndalimi.
Me këtë fakt lidhet edhe e gjithë shija, sigurisht jo e mirë e skenës që u krijua.
Nëse shtetasi Ilir Meta nuk do ta kishte kundërshtuar ekzekutimin e vendimit, dinamika e ngjarjes nuk do të kishte prodhuar asgjë tjetër, përveçse kalimin e qetë të tij, nga automjeti privat në automjetin e shoqërimit në Polici.
Nga ana tjetër, askush nuk e thotë dot, që ajo shfaqje e dhunshme kundërshtie, nuk do të kishte qenë e njëjta kudo tjetër, ku do të mund të bëhej ndalimi i tij.
Madje sipas analizës përgatitore të operacionit, në të tjera rrethana, rezultati mund të kishte qenë edhe më problematik për shijen e atyre, që mbrëmë e trajtuan Policinë si autore të një operacioni të dhunshëm.
Por fatkeqësisht dhe çuditërisht, të gjithë ata “harruan”, që vetëm kundërshtimi i saj me dhunë dhe asgjë tjetër, e bëri të pashmangshëm shoqërimin me forcë të shtetasit Ilir Meta. Për pasojë edhe skenën shqetësuese!
Prandaj me keqardhje të sinqertë për pamundësinë e shmangies së shoqërimit të tij me forcë, jam po ashtu i keqardhur, që nuk bie dot dakord me optikën e akuzatorëve të mbrëmshëm të Policisë së Shtetit.
Me fjalorin e tyre ekstrem ndaj efektivëve të saj, jo dhe jo. Kurrën e kurrës.
Dhe në fund, e shoh të nevojshme të nënvizoj një të vërtetë absolute dhe fare banale. Kur Policia e Shtetit, jo në Shqipëri, por kudo në botë, merr një urdhër arresti, nuk ka në dispozicion shumë opsione, por vetëm një: Të ndalojë personin e kërkuar dhe pikë. As mund ta lajmërojë, as mund ta ftojë dhe as mund të koordinojë me të, vendin dhe orën e ndalimit. Të gjitha këto nuk janë thjeshtë të pamundura, por janë vepër penale, që ndëshkohen me burg.
Pra, Policia e Shtetit dje kreu detyrën dhe u detyrua ta kryente duke përdorur forcën, për gjithë sa sqarova më lart, duke iu referuar dinamikës së ngjarjes, jo dëshirës, sesi do të kishte qenë më mirë të ndodhte apo të mos ndodhte.