“Qëndruam në shtëpi me sytë nga dritarja”, gazetari nga Fieri, Ervis Kuçi tregon orët e frikës nga uragani Milton në SHBA: Kishte shumë panik, supermarketet u boshatisën. Disa miq…
SHBA
Një frikë e panjohur, njerëz që boshatisën shpejt supermarketet dhe madje disa u larguan edhe pse ishin larg zonës ku uragani do të kishte goditjen e madhe. Të tjerët prisnin me ankth se çfarë do të ndodhte. Këto janë disa nga përjetimet e gazetarit nga Fieri, Ervis Kuçi i cili prej më shumë se një viti jeton në Florida, SHBA bashkë me familjen gjatë orëve para dhe pas uraganit të fuqishëm dhe vdekjeprurës Milton që goditi këtë shtet.
Kuçi tregon se ndodhet në zonën më të largët në distancë nga epiqendra e uraganit, por me gjithë informacionin, frika ishte e lartë, pasi siç ka ndodhur dhe në të kaluarën uraganet janë të paparashikueshëm. Si në rastin e uraganit Helenë që goditi Florida-n pak ditë më parë, i cili shkaktoi vdekjen e qindra personave pasi ishte parashikuar të godiste pasi ndryshoi drejtimin duke prekur një zonë jo të përgatitur për fenomenin e rrezikshëm.
Ai thotë se bashkë me gruan dhe dy fëmijët qëndruan në shtëpi duke pritur kalimin e stuhisë me sytë nga qielli dhe telefonat për të marrë sa më shumë informacion. Sipas Kuçit, pjesa më e madhe e shkollave janë kthyer në vende strehimi, ndërsa dëmet materiale janë të dukshme, por fatmirësisht në zonën e tij nuk raportohet për njerëz të lënduar.
Ervis, SHBA prej 24 orësh po përjeton uraganin Milton. Në çfarë zone ndodheni ju dhe a keni pasur probleme?
Më se e vërtetë që Milton ka qenë një ndër uraganet më të frikshëm jo vetëm për Floridën por për të gjithë Amerikën. Milton goditi Floridën vetëm pak ditë pasi kjo zonë përjetoi një tjetër fatkeqësi natyrore, uraganin Helene, që solli dëmë të konsiderueshme në pjesën veriore. Unë bashkë me familjen time jetojmë në Clearwater, fatmirësisht të pozicionuar në një zonë të sigurt, e cila nuk ka pasur probleme të mëdha. Përveç pemëve që kanë rënë në tokë, si pasojë e erës së fortë dhe shirave të dendur, ka pasur në disa zona probleme me energjinë elektrike e bllokimin e rrugëve. (video: Clearwater pas uraganit Milton)
Çfarë njoftimi keni marrë nga autoritetet?
Njoftimet kanë qenë të vazhdueshme, disa ditë përpara uraganit dhe shumë herë më të shpeshta gjatë orëve të fundit. Njoftime për situatën e motit, ecurinë e uraganit, gatishmërinë e forcave të policisë dhe zjarrfikësve nuk kanë munguar, ndërsa situata e alertit ka vijuar deri në orët e para të mëngjesit të kësaj të enjteje. Nëse do të shihnit telefonin tim është i mbushur me njoftime që niveli i ujit po ngrihet dhe zona rrezikon përmbytjen dhe era e fortë mund të pushtojë të gjithë zonën, e që jeta mund të jetë e rrezikuar. Njoftimi më i fundit ka qenë ai që nuk duhet të dilet në rrugë pasi këto të fundit mund të jenë të bllokuara, e deri në normalizimin e situatës duhet të qëndrojmë në shtëpi.
A ka qenë i nevojshëm evakuimi?
Sipas autoriteteve evakuimi në zonën ku ne jetojmë nuk ka qenë i nevojshëm. Territori është i ndarë me zona, nisur nga A deri në E, dhe shtëpia ime ndodhet në këtë të fundit, ku rreziku nga përmbytjet ishte i vogël. Pas shumë mëdyshjesh vendosëm të mos largohemi, duke parë edhe banorë të tjerë që jetojnë pranë meje. Qëndruam në shtëpi me sytë nga dritarja, duke parë motin, edhe pse deri në momentet e fundit të afrimit të uraganit ishte i qetë dhe më se normal.
Ka pasur banorë të evakuuar në zonat pranë jush?
Shumë shokë dhe miq tanët u larguan. Ata që ikën ditë më përpara arritën të siguronin një hotel e një vend qëndrimi, të tjerë që vendosën në momentet e fundit e kaluan natën jashtë, nëpër makina e vende parkimi. Mungesa e karburantit nëpër pikat e furnizimit ka bërë që shumica të mbesin rrugëve, pasi edhe kthimi për në zonat e goditura nga uragani për momentin është i pamundur. Ka pasur shumë që janë larguar në shtete të tjera, larg Floridës, duke qenë se parashikimet tregonin për një ndër uraganet më të fuqishëm në 100 vitet e fundit.
Po shkollat dhe institucionet e tjera janë funksionale?
Shkollat qëndruan të mbyllura për 4 ditë si pasojë e uraganit Helene, ndërsa fëmijët shkuan në shkollë vetëm të hënën e kësaj jave, për të qëndruar më pas në shtëpi. Pjesa më e madhe e shkollave janë kthyer në vende strehimi, ndërsa ende nuk ka një njoftim nëse do të nisë procesi javën e ardhshme. (foto: uragani Milton)
Në çfarë ore goditi stuhia në zonën tuaj dhe sa zgjati?
Stuhia nisi të intensifikohej rreth orës 21:30, kur era u bë më e fortë dhe shiu më i dendur. Ishte e frikshme. Nuk dihej se si do të vazhdonte. Mëdyshjet ishin të mëdha edhe pse uragani goditi më në jug të zonës ku unë banoj. Ata që janë më të vjetër këtu thonë që uraganet janë të paparashikueshëm, ata ndryshojnë drejtim në momentin e fundit, ndaj edhe nuk ishim të qetë deri në momentin e fundit. Zgjuar kemi qëndruar deri rreth orës 03:00 pas mesnate, deri kur pamë që moti u qetësua paksa dhe fuqia e erës u ul disi.
Kishit frikë? Si i kaluat orët?
Nëse them jo, do të gënjeja. Frikë më tepër pasi ishte një situatë e panjohur, nuk di ku të shkosh e çfarë të bësh. Koha për t’u evakuuar kishte kaluar dhe njoftimi i fundit nga autoritet ishte që nuk mund të dilni më nga banesat. U mblodhëm bashkë në shtëpi, e duket dëgjuar lajmet për ecurinë e motit, flisnim me miq e të njohur që ishin larguar nga shtëpitë e tyre këtu në Florida, por edhe me shumë të tjerë që ndodhen në Shqipëri, të shqetësuar për gjendjen këtu.
Merrnit informacion të vazhdueshëm për situatën nga autoritetet vendore?
Në çdo moment. Njoftime në telefon dhe e-maile nga shumë institucione për gatishmërinë në të cilën ndodheshin. Furnizimi me energji dhe uji nuk ka munguar në zonën ku unë jetoj, por në një pjesë të mirë kanë munguar. (foto: njoftimet në telefonin e Kucit)
Keni pasur nevojë për ndihmë?
Fatmirësisht jo. Arritëm të siguronin ujin dhe ushqimet e nevojshme ditë më parë, pas njoftimeve të bëra, edhe pse supermarketet u boshatisën shumë shpejt. Njerëzit i zë paniku në të tilla situata, ndërsa në markete kishte dyndje te qytetarëve, të cilët nxitonin të merrnin çka të mundnin. Edhe ne bëmë si të tjerët, morëm çka mundëm për të siguruar ditët e qëndrimit në shtëpi.
A ka pasur dëme në zonën tuaj apo të lënduar?
Fatkeqësisht kam lexuar që deri tani janë shënuar 10 viktima, në territorin ku goditja e uraganit ka qenë më e fortë. Në zonën ku unë jetoj nuk ka pasur të lënduar, ndërsa dëmet do të duhet pak kohë që të evidentohen. Por me aq sa kam arritur të shoh ka shumë shtëpi të dëmtuara si pasojë e erës së fortë dhe rënies së pemëve, ndërsa në rrjetet sociale qarkullojnë foto të godinave të rrënuara në pjesën e goditur nga uragani. (foto: dëmet në Clearwater)
Po komunikim me pjesëtarë tjetër të komunitetit shqiptar keni pasur?
Këtu ka shumë shqiptarë dhe unë kam kontakte me disa prej tyre, me ata që më ka lidhur puna dhe jeta këtu. Ka pasur nga ata që janë larguar, për shkak të vendndodhjes së shtëpive, ndërsa shumë edhe kanë qëndruar dhe fatmirësisht janë mirë.
Çfarë ju bëri përshtypje gjatë kalimit të kësaj situate, në menaxhimin apo solidarizimin e banorëve?
Njerëzit edhe pse duken të ftohtë, në situata të tilla janë shumë të bashkuar. Edhe pse ti nuk i njeh shumicën prej tyre, e për më tepër që janë të kombësive të ndryshme, gatishmëria ka qenë e madhe. Njerëzit janë shumë dashamirës për të ndihmuar dhe nuk ngurrojnë të kërkojnë ndihmë. Edhe autoritet në thirrjet e tyre shpesh bënin me dije se në të tilla situata duhet të mbështetemi jo vetëm tek punonjësit e policisë, shëndetësisë, ndihmës së shpejte etj., por edhe tek fqinjët, për të ndihmuar ata që kanë nevojë. Solidariteti është shumë i madh dhe kjo u vu re gjatë dy uraganeve që kaluan.
Cili nga uraganet ishte më i frikshëm për ju Helene apo Milton?
Milton, sepse kalonte përmes Florida-s, ndërsa Helene jo, edhe pse shkaktoi një numër më të madh viktimash. Helene e kishte perplasjen me perpara dhe shkoi më në veri.