Rama: Çdo efektiv në front do marrë 2500 euro shpërblim, familjet e të miturve që dhunojnë do paguajnë dëmet

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar masa të rrepta administrative dhe financiare ndaj pjesëmarrësve në aktet e dhunës gjatë protestave të fundit, duke bërë të ditur se familjet e të miturve do të mbajnë përgjegjësi direkte për dëmet materiale, ndërsa studentët e përfshirë do të humbasin mbështetjen shtetërore.
Gjatë takimit me strukturat drejtuese të Policisë së Shtetit, kreu i qeverisë deklaroi me vendosmëri se shteti do ta fitojë këtë betejë përballë asaj që ai e quajti një “plan ogurzi” për destabilizimin e vendit.
U them të gjitha familjeve të atyre të miturve se do të paguani në rast se nuk do të mbani përgjegjësinë tuaj për ata fëmijë, në rast se nuk dini ju t’i mbroni fëmijët tuaj dhe i lini rrugëve, nga 15, 14, 13 apo 16 vjeç, që të marrin rolin e mburojës së atyre të tjerëve që janë mbrapa, sepse fatura financiare për të gjitha këto dëme do t’ju përndjekë deri në fund.
Më tej, ai sqaroi penalitetet që presin studentët e përfshirë në përplasje me uniformat blu, duke nënvizuar se taksat e qytetarëve nuk do të shkojnë më për arsimimin e tyre, por për riparimin e qytetit.
U them të gjithë atyre të tjerëve që ikin nga shkolla për të dhunuar Policinë, që nuk do të kthehen në shkollë normalisht pa pasoja administrative për këtë, pasi ata studentë që dalin dhe dhunojnë Policinë e Shtetit nuk do të kenë arsim falas, nuk do të kenë bursa dhe nuk do të kenë asnjë mbështetje financiare nga shteti, sepse me taksat e shqiptarëve ne do të riparojmë trotuaret, semaforët, kamerat që ata shkatërruan, tabelat e stolat, dhe nuk do të paguajmë për ca djem e vajza që kujtojnë se u bë deti kos për Antifa-n.
Duke vlerësuar qëndresën e forcave të rendit përballë sulmeve, Kryeministri Edi Rama njoftoi alokimin e menjëhershëm të fondeve për efektivët duke u shprehur se:
Për të gjithë rezistencën, për të gjithë sakrificën, për të gjithë kurajën dhe, mbi të gjitha, për dinjitetin me të cilin ju po u dilni përballë jo vetëm këtyre, por edhe atyre që nëpër ekrane masakrojnë e fajësojnë Policinë e Shtetit duke kërkuar që ajo të dorëzohet, ne do t’ju vëmë menjëherë në dispozicion një shumë prej 2500 eurosh për çdo efektiv që është në këtë front, pasi në këtë moment jeni të gjithë një dhe një për të gjithë, ndërsa me buxhetin e ri nga 1 janari paga juaj do të rritet në mënyrë të konsiderueshme.




