Rama dy orë mbledhje me ministrat dhe drejtuesit politikë të PS, në fokus komunikimi me qytetarët dhe “Pasqyrë Albania”
Kryeministri Edi Rama mblodhi këtë të premte, 28 gusht, në Sauk, ministrat dhe drejtuesit politikë të Partisë Socialiste në qarqe. Takimi zgjati rreth dy orë dhe erdhi pas dy ditësh mbledhjesh intensive në Pogradec, ku kreu i qeverisë ka kërkuar një fokus më të madh te problematikat dhe shqetësimet e qytetarëve.
Në takimin e zhvilluar ishte i pranishëm edhe drejtuesi i AKSHI-t, për koordinimin dhe zbatimin e programeve kompjuterike që lidhen me platformën “Pasqyrë Albania”, një prej nismave të prezantuara nga Rama.
Rama ka kërkuar që strukturat e Partisë Socialiste të zbresin menjëherë në terren për të adresuar shqetësimet dhe ankesat e qytetarëve. Sipas kryeministrit, takimet me qytetarët të nisin menjëherë në të gjitha qarqet dhe që problematikat e ngritura prej tyre të marrin zgjidhje konkrete.
Në fokus janë edhe dokumentet strategjike “Besa” dhe “Prania Besnike”, të cilat pritet të shërbejnë si një mënyrë e re komunikimi mes qeverisë dhe qytetarëve.
Për këto dy projekte pritet të angazhohen drejtpërdrejt ministrat, ndërsa secila ministri do të ketë edhe një zëvendësministër të deleguar për të ndjekur zbatimin dhe komunikimin përmes platformave të reja.
Qasja e re vjen pas protestave të zhvilluara në Tiranë dhe është reflektimi i qeverisë për të ndryshuar mënyrën e komunikimit me qytetarët, duke e zhvendosur fokusin më shumë drejt terrenit dhe zgjidhjes konkrete të problematikave.
Ndërkohë, në kuadër të zhvillimeve të fundit në Bashkinë e Tiranës, pas tërheqjes së delegimit të kompetencave nga Anuela Ristani, nesër pritet të zhvillohet një takim informal me deputetët socialistë të Tiranës.
Gjithashtu socialistët janë në pritje edhe të Asamblesë së Partisë Socialiste, e cila pritet të zhvillohet në javët e parë të shtatorit.




