Rama: Më 26 maj hapet faza përmbyllëse e negociatave me BE, opozita dështoi në parashikimet e saj

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas zhvillimeve më të fundit në procesin e integrimit europian të Shqipërisë, pas miratimit të raportit IBAR lidhur me negociatat me Bashkimin Europian.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë bëri të ditur se më 26 maj, në Bruksel, Konferenca Ndërqeveritare Shqipëri–BE do të vulosë me sukses fazën hyrëse dhe do të çelë fazën përmbyllëse të negociatave të anëtarësimit.
Rama u ndal edhe te qëndrimet e opozitës, duke deklaruar se pretendimet për bllokim të negociatave, ndëshkim dhe izolim të Shqipërisë kanë rezultuar të pavërteta.
Sipas tij, pavarësisht akuzave dhe protestave të opozitës, Shqipëria ka vijuar përpara në rrugën drejt integrimit europian.
“Kjo është një tjetër ditë krenarie për Shqipërinë, për skuadrën tonë të madhe dhe për të gjithë ata që kontribuojnë në procesin e negociatave. Shqipëria Europiane që po ndërtojmë është një histori suksesi”, u shpreh Rama në reagimin e tij.




