Rama paralajmëron Spiropalin me përjashtim nga grupi i PS: Herën e tretë del jashtë

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar përjashtimin e deputetes Elisa Spiropali nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, pas qëndrimeve të saj të fundit dhe postimeve në rrjetet sociale.
Burime nga mbledhja me dyer të mbyllura bëjnë me dije se gjatë fjalës së tij në fund të takimit të kësaj të hëne, Rama është ndalur për disa minuta te Spiropali, duke përmendur mungesën e saj në votime dhe reagimet publike.
“Herën e parë nuk erdhe në votim. Herën e dytë bëre çarçafin dhe herën e tretë nuk ka, del jashtë këtij grupi”, mësohet të ketë thënë Rama.
Sipas të njëjtave burime, kryeministri ka theksuar se në parti nuk mund të krijohen “drama”, duke iu drejtuar drejtpërdrejt deputetes.
“Tek puna e partisë nuk mund të bëni drama, dhe për këtë po të drejtohem ty Elisa. Nuk dua të krijoni situata në parti. Partia ka dy ngjyra, bardhë e zi: ose bardhë dhe me ne, ose zi dhe përballë nesh”, citohet të ketë deklaruar ai.
Rama mësohet të ketë shtuar se kjo ishte edhe një përgjigje për postimet e Spiropalit në rrjetet sociale.
Në fund të mbledhjes, sipas burimeve, Elisa Spiropali ka kërkuar të marrë fjalën, por nuk është lejuar nga kryeministri.
“Ti s’mund të replikosh këtu, ti nuk merr fjalë më, me ty është investuar PS dhe unë”, mësohet të ketë thënë Rama në mbyllje të debatit.




