Reagimi zyrtar i Policisë Fier pas incidentit me kandidatin e PD-së, Fation Semanjaku

Pas lajmit për shoqërimin e kandidatit për deputet të Partisë Demokratike në qarkun Fier, Fation Semanjaku, Drejtoria Vendore e Policisë Fier ka reaguar përmes një njoftimi zyrtar për mediat.
Sipas Policisë, rreth orës 18:50 të mbrëmjes së sotme, Drejtori i Policisë Bashkiake ka raportuar në Sallën Operative se një subjekt politik kishte vendosur një poster në mënyrë të paligjshme në qendër të qytetit dhe po kundërshtonte forcat e Policisë Bashkiake që kërkonin heqjen e tij.
Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit dhe kanë shoqëruar shtetasin Fation Semanjaku, kandidat për deputet nga radhët e PD-së. Ai është lënë i lirë menjëherë pas sqarimit të situatës.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier siguron opinionin publik dhe subjektet politike se është e angazhuar në garantimin e rendit dhe sigurisë, si dhe në parandalimin e çdo veprimi në kundërshtim me ligjin gjatë procesit zgjedhor.