Rëndohet bilanci nga sulmi i frikshëm në Magdeburg, 11 viktima dhe mbi 60 të plagosur

Pas sulmit të frikshëm që ndodhi në tregun e Krishtlindjeve të qytetit gjerman të Magdeburgut, Bild ka raportuar se bilanci i viktimave ka shkuar në 11.
Sakaq, shërbimet e urgjencës në Magdeburg raportuan se nga 60 deri në 80 persona u plagosën në sulm.
Makina eci për “të paktën 400 metra nëpër tregun e Krishtlindjeve” mes turmës së njerëzve, tha një zëdhënës i policisë për mediat gjermane.
Magdeburgu, kryeqyteti i rajonit Saxony-Anhalt, është një qytet me rreth 240,000 banorë, i vendosur në perëndim të Berlinit. Pas sulmit, zona përreth tregut është rrethuar nga forca të shumta policie, ndërsa dyshohet se automjeti i llojit “BMW”, që përdori agresori, mund të përmbante eksploziv të pashpërthyer.
Sipas raporteve nga BILD, shoferi i makinës është arrestuar menjëherë pas sulmit. Mediat WELT, duke cituar burime të sigurisë, njoftojnë se agresori është një doktor nga Arabia Saudite, i lindur në vitin 1974, i cili kishte marrë me qira automjetin pak para sulmit.
Në vendin e ngjarjes, forcat e shpëtimit kanë ngritur çadra për të ofruar ndihmën e parë të lënduarve, ndërsa autoambulancat dhe helikopterët e shpëtimit janë nisur nga qyteti Halle për të ndihmuar autoritetet lokale. Dëshmitarët okularë tregojnë se agresori ka kaluar barrierat dhe ka goditur disa familje, duke manovruar makinën në mënyrë zigzag për të goditur sa më shumë njerëz.
Kryeministri i rajonit Saxony-Anhalt, Rainer Hasselof, e cilësoi ngjarjen si “një tragjedi të tmerrshme, veçanërisht tani në ditët e para të Krishtlindjeve”. Matthias Suppe, një përfaqësues i qeverisë së rajonit, e quajti këtë një “sulm të dukshëm terrorist”. Po ashtu, përfaqësuesi i qytetit të Magdeburgut, Marcel Reif, e konfirmoi se, sipas informacioneve të para, bëhej fjalë për një sulm të planifikuar.






