Rënie e sipërfaqeve me grurë në Fier, Myzeqeja humbet terren si “hambari i Shqipërisë”

FIER – Kultivimi i grurit në qarkun Fier po vijon trendin rënës, duke reflektuar ndryshime të dukshme në strukturën e bujqësisë në një nga zonat më pjellore të vendit.
Sipas të dhënave më të fundit, në vitin 2025 sipërfaqja e mbjellë me grurë arriti në 8,954 hektarë, ndërsa në vitin 2026 ka zbritur në 7,127 hektarë, duke shënuar një tkurrje prej rreth 1,800 hektarësh. Në të njëjtën linjë është edhe prodhimi, i cili ka rënë nga 34,884 ton në vitin 2025 në rreth 28,900 ton në vitin 2026.
Megjithatë, vihet re një përmirësim i lehtë i rendimentit për hektar, nga 39 kv/ha në vitin 2025 në mbi 40.5 kv/ha në vitin 2026. Ky tregues lidhet me përmirësimin e teknikave të kultivimit dhe përdorimin më efikas të inputeve bujqësore, por nuk ka arritur të kompensojë uljen e sipërfaqes së mbjellë.
Rënia prek kryesisht grurin e butë dimëror, që përbën pjesën më të madhe të prodhimit në zonë, ndërsa gruri i fortë mbetet në nivele minimale dhe pothuajse i pandryshuar.
Ekspertët e bujqësisë e lidhin këtë situatë me kostot e larta të prodhimit, mungesën e subvencioneve konkurruese dhe orientimin e fermerëve drejt kulturave më fitimprurëse, si misri dhe perimet.
Dikur e njohur si “hambari i Shqipërisë”, Myzeqeja sot po përballet me një realitet ndryshe. Tkurrja e sipërfaqeve të mbjella me grurë dhe rënia e prodhimit po ngrenë shqetësime për të ardhmen e kësaj kulture tradicionale në rajon.




