Reshjet e dendura të shiut lënë pa energji mbi 30 fshatra në Fier dhe Mallakastër

Shkarkesat elektrike shkaktojnë defekte në rrjetin energjetik. Probleme raportohen edhe në zonat rurale të Lushnjës, ndërsa riparimet ende nuk kanë nisur për shkak të motit të keq.
Reshjet e dendura të shiut, të shoqëruara me shkarkesa të shpeshta elektrike, kanë shkaktuar defekte në linjat e furnizimit me energji elektrike, duke lënë pa drita banorët e më shumë se 30 fshatrave në Fier dhe Mallakastër. Probleme me furnizimin me energji janë raportuar edhe në zonat rurale të Lushnjës.
Sipas burimeve nga filiali i OSHEE-së në Fier, defektet e para u shfaqën që mbrëmjen e së enjtes, kur energjia elektrike u ndërpre në disa fshatra të zonës së Levanit. Situata u përkeqësua mëngjesin e sotëm, me intensifikimin e reshjeve dhe shkarkesave elektrike.
Aktualisht, vetëm në bashkitë Fier, Patos dhe Mallakastër janë jashtë funksionit 10 fidera të rrjetit elektrik. Për shkak të shkarkesave të shpeshta elektrike që shoqërojnë reshjet, puna për riparimin e defekteve ende nuk ka nisur.
Zonat ku raportohen defekte në rrjetin elektrik:
- Zonat bregdetare të Libofshës
- Semani
- Patosi
- Krapsi
- Kafaraj, në linjën 20 kV
- Zona Qarr–Bishan-Pish Poro
- Ballshi
- Aranitasi
Një fider furnizon mesatarisht tre deri në katër fshatra, ndërsa në zonat urbane mund të furnizojë disa lagje. Për këtë arsye, defektet në këto linja prekin një numër të konsiderueshëm abonentësh.
Situata mbetet në monitorim, ndërsa rikthimi i energjisë elektrike do të varet nga përmirësimi i kushteve atmosferike dhe ndërhyrja e ekipeve për riparimin e defekteve.





