Rikthehen reshjet e shiut në të gjithë vendin

Shqipëria rikthehet sot nën ndikimin e kushteve atmosferike të paqëndrueshme. Moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura, të alternuara me intervale të shkurtra kthjellimesh. Reshjet e shiut do të jenë prezente që në orët e para të ditës në pjesën më të madhe të territorit, kryesisht me intensitet të ulët.
Gjatë ditës, në zonat e veriperëndimit dhe jugperëndimit do të shfaqen shtrëngata afatshkurtra. Ndërkohë, në orët e mesditës dhe pasdites, reshjet do të intensifikohen në Vlorë, Himarë, Delvinë, si edhe në Velipojë, Shkodër e Lezhë, ku priten rrebeshe mesatare deri të forta, shoqëruar hera-herës me shkarkesa elektrike.
Në zonat malore të Alpeve dhe mbi 1500 metra lartësi parashikohen reshje dëbore me intensitet të ulët.
Era do të fryjë nga juglindja në jugperëndim me shpejtësi deri në 7 m/sek, ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe zonave luginore pritet të arrijë deri në 20 m/sek. Valëzimi në detin Adriatik dhe Jon do të variojë nga 3 deri në 5 ballë.




