“Rikthehet” Merkel: Të ndalojmë luftën bërthamore Rusi-SHBA
“Zonja e hekurt” e politikës botërore shqetësohet nga kërcënimi i Putin për lëshimin e armëve bërthamore. Ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka thyer heshtjen disa vjeçare pas largimit nga politika, në një intervistë për median britanike BBC, duke folur për luftën Ukrainë-Rusi, kthimin e Donald Trump në presidencën amerikane, trashëgiminë politike dhe frikën e luftës botërore.
Ajo tregon se nëse Ukraina do të ftohej për t’iu bashkuar NATO-s në 2008, konflikti do të shpërthente më herët dhe do ta gjente Kievin të papërgatitur. Këtë vlerësim nuk e pranon presidenti Volodymyr Zelensky duke e konsideruar më shumë si keqllogaritje. Për shkak se konflikti ka arritur në një pikë kritike dhe duke e njohur mirë presidentin rus, Merkel ka një thirrje për të gjithë liderët e botës.
“Ne duhet të bëjmë gjithçka të mundur që të shmangin përdorimin e armëve bërthamore. Fatmirësisht, edhe Kina foli për këtë pak kohë më parë. Ne nuk duhet të paralizohemi nga frika, por duhet të pranojmë gjithashtu se Rusia është më e madhja, ose së bashku me SHBA-në, një nga dy fuqitë më të mëdha bërthamore në botë. Potenciali është i frikshëm”, tha Angela Merkel, ish-Kancelare e Gjermanisë.
Merkel, e cila publikoi librin e saj me kujtime, u përpoq të mbronte trashëgimin e saj politike duke nisur nga varësia energjetike e Europës në gazin rus. Ish-kancelarja gjermane thotë se u përpoq të ndikonte sulmet e Rusisë ndaj Ukrainës duke përdorur diplomacinë dhe negociatat, por pranon se në fund dështoi. 70-vjeçarja mbron edhe vendimin për pritjen e miliona refugjatëve gjatë krizës së vitit 2015. Pavarësisht kritikave publike, Merkel mbron ende qëndrimin për hapjen e dyerve për azilkërkuesit.
Ajo komenton edhe kthimin e Donald Trump në presidencën amerikane, ndërsa u kërkon liderëve europianë që të mos frikësohen nga ky zhvillim. “Nëse flisni qartë me të do të fitoni respekt të ndërsjellë”, nënvizon Merkel mes tjerash. Ish-kancelarja zbulon se u përgjigjet me kënaqësi telefonatave të liderëve botërore, të cilët i kërkojnë këshilla. Por përgjigjet me një “jo” të prerë pyetjes së BBC nëse i mungon pushteti dhe politika.