Roshi dhe tërheqja nga Kombëtarja: Doja të luaja, por kisha një vit pa ftesë

Odise Roshi dëshiron që ta mbyllë karrierën te Flamurtari. Luajti në Vlorë në sezonet 2009-2011 dhe ka shumë nostalgji. I ftuar në “TV 6+1 Vlora”, Roshi thekson se vlonjatët e kanë vendin në Superiore. Sipas fierakut, Flamurtari duhet të luftojë vetëm për titull kampion. Roshi flet edhe për mbylljen me Kombëtaren, që sipas tij ishte një vendim që erdhi nga mos thirrja prej trajnerit.
Keni pasur një karrierë të pasur, ku aktivizohet momentalisht Roshi?
Për momentin jam në Erzurumspor në Turqi. Janë edhe dy ndeshje që të mbyllet faza e parë. Për këtë vit e kemi mbyllur dhe jemi në vend të tretë për momentin. Kemi marrë pushimet. Kemi tre-katër ditë të lira dhe përsëri pastaj vazhdon stërvitja me ekipin.
Në 2009-2011 keni qenë pjesë e Flamurtarit. E ndiqni skuadrën?
Normalisht që e ndjek. Nuk i shikoj ndeshjet “live”, por flas aty me Andi Ribajn që ka qenë futbollist dhe tani është zëvendëstrajner. Ndeshjen e fundit fituan 0-1 dhe janë në vend të dytë. I kam thënë që Flamurtari është një ekip i madh dhe ta shikosh në Kategori të Parë, nuk e kuptoj.
Fillimet tuaja janë me Apoloninë dhe më pas 51 ndeshje me Flamurtarin. Si i kujtoni ato momente në Vlorë?
Qyteti nënë për mua dihet që është Apolonia. Aty u rrita me futboll dhe me çdo gjë. Pastaj kulmin tim në Shqipëri unë e kalova me Flamurtarin. Aty kam kaluar vitet më të bukura, 2009-2011. Kur e shikoj Flamurtarin në këto momente që është në Kategorinë e Parë… Jo se më befason, por Flamurtari është një ekip i madh për të gjithë Shqipërinë se ka nxjerrë talente nëpër vite. Flamurtari duhet të jetë gjithmonë pretendent për titullin kampion dhe në Superiore.