Rriten çmimet e qirave në Fier – Tendenca vijon edhe në 2025

Në Fier, çmimet e qirave për apartamente kanë vijuar me rritje edhe gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2025. Sipas të dhënave nga agjencitë imobiliare, në pesë vitet e fundit është shënuar një rritje prej 40%, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë për qytetarët përballimin e kostos së banimit me qira.
Edhe në zonat më të lira të qytetit, çmimet aktualisht nisin nga 150 deri në 180 mijë lekë të vjetra në muaj, ndërsa në lagjet më të kërkuara si “Kastriot”, “15 Tetori”, “1 Maji” dhe “Apolonia” çmimet variojnë nga 250 deri në 300 mijë lekë të vjetra.
Sipas agjentes imobiliare Arta Progonati, disa nga faktorët që kanë ndikuar në këtë rritje të ndjeshme përfshijnë:
- Shpërngulja e të moshuarve nga zonat rurale drejt qytetit për të qenë më pranë qendrave shëndetësore gjatë periudhës së pandemisë.
- Shtimi i nxënësve nga fshatrat që ndjekin shkollën në qytet.
- Akomodimi i punonjësve të huaj të angazhuar në projektet për ndërtimin e paneleve fotovoltaike në zonën e Semanit dhe Darëzezës.
Nga ana tjetër duhet theksuar se në Fier nuk ekziston një balancë reference çmimesh sipas zonave, duke sjellë një treg të paqëndrueshëm dhe jo të standardizuar.
Një tjetër faktor që ka ndikuar në rritjen e çmimeve është edhe shtimi i kërkesës për qira afatshkurtra, sidomos gjatë muajve të verës, një trend në rritje që po shihet gjithnjë e më shumë si mundësi për gjenerim të ardhurash.
Ndërkohë, kjo rritje po kthehet në një problem shqetësues për qiramarrësit, të cilët po e përballojnë gjithnjë e më vështirë pagesën mujore. Agjentët bëjnë të ditur se kërkesat më të mëdha vijnë nga qytetarë vendas, ku banorët nga zonat rurale preferojnë qendrat e qytetit, ndërsa fierakët po zhvendosen drejt periferisë për qira më të ulëta.
Ekspertët e tregut theksojnë se qiratë mujore dhe ditore po shihen gjithnjë e më tepër si një formë investimi, me potencial të qëndrueshëm për të ardhura afatgjata.
Gazetare – Marsela Topi / fieriweb.con