Rriten rastet e sëmundjeve të veshkave në Fier, ekspertët: Kequshqyerja një nga shkaqet kryesore

Numri i shqiptarëve të prekur nga sëmundjet e veshkave po rritet ndjeshëm, dhe një ndër faktorët kryesorë mbetet kequshqyerja. Sipas statistikave, gjatë vitit 2024 në qarkun e Fierit janë kartelizuar 1200 pacientë me probleme renale, nga të cilët 75 kanë nevojë për transplant, ndërsa 120 trajtohen me hemodializë.
Nefrologia Shpresa Stasa, nga Spitali Rajonal Fier, thekson se grupmosha më e prekur është ajo mbi 60 vjeç, por sëmundja mund të zhvillohet pa simptoma të dukshme. “Numri i të prekurve po rritet. Pas moshës 45 vjeç është i nevojshëm depistimi, ndërsa mbi 50 vjeç duhen check-up-e të rregullta për të identifikuar problemet në fazën e hershme,” shprehet ajo.
Ndër faktorët kryesorë që ndikojnë në keqfunksionimin e veshkave renditen jeta sedentare, kequshqyerja dhe përdorimi i alkoolit. Ekspertët theksojnë rëndësinë e një diete të shëndetshme, duke shmangur duhanin, alkoolin dhe kripërat e tepërta, si dhe duke konsumuar sa më shumë ujë gjatë ditës.
Muaji mars shënon muajin e ndërgjegjësimit për shëndetin e veshkave, duke vënë theksin tek rëndësia e menaxhimit të kësaj sëmundjeje për cilësinë e jetës. Sipas studimeve të fundit, deri në vitin 2040 sëmundjet e veshkave pritet të jenë shkaku i pestë kryesor i vdekjeve në botë.
Marsela Topi / FieriWeb