Rritet numri i makinave elektrike në Fier, 52 të regjistruara vetëm në dy muajt e parë të 2026

Automjetet elektrike po shtohen ndjeshëm në qarkullimin rrugor në Fier. Përveçse furnizohen me energji të pastër dhe kontribuojnë në mbrojtjen e mjedisit, ato po zgjidhen gjithnjë e më shumë nga qytetarët edhe për shkak të kostove më të ulëta të përdorimit dhe barrës më të lehtë fiskale.
Sipas të dhënave, vetëm gjatë dy muajve të parë të vitit 2026 në Fier janë regjistruar dhe kanë hyrë në qarkullim 52 automjete tërësisht elektrike, ndërsa numri i mjeteve me teknologji hibride është edhe më i lartë.
Interesi për këto automjete po rritet jo vetëm nga qytetarët, por edhe nga institucionet, të cilat kanë nisur të investojnë në blerjen e mjeteve elektrike si një alternativë më ekonomike dhe miqësore me mjedisin.
Albert Shahaj, drejtues taksie në Fier, shprehet se avantazhet e një makine elektrike janë të shumta krahasuar me automjetet me lëndë djegëse, duke theksuar sidomos kursimin e shpenzimeve për karburant dhe mirëmbajtje.
Në total, në qarkun e Fierit janë aktualisht në qarkullim 353 automjete elektrike. Mesatarisht çdo vit rreth 120 qytetarë zgjedhin të blejnë automjete elektrike ose hibride, duke synuar uljen e kostove të karburantit dhe përfitimin nga teknologjitë moderne që ofrojnë këto mjete.
Gazetare, Valbona Davidhi – fieriweb.com




