Rritje e çmimeve referuese për zhdoganimin e automjeteve të përdorura

Tiranë – Automjetet e përdorura që importohen nga vende të ndryshme, si Koreja e Jugut, Kina apo shtete të Europës, tashmë do të zhdoganohen me çmime të reja reference. Udhëzimi i ri i Ministrisë së Financave, i publikuar në Fletoren Zyrtare, “Për vlerësimin e mallrave për qëllime doganore”, ka hyrë në fuqi dhe parashikon rritje të ndjeshme të vlerave minimale për zhdoganim.
Për autoveturat, çmimet minimale për çdo kategori cilindrate janë rritur mesatarisht me rreth 25%. Për shembull:
- Deri në 1400 cc, vlera minimale kalon nga 130 mijë lekë në 162.5 mijë lekë.
- 1400–1900 cc: nga 200 mijë lekë në 250 mijë lekë.
- 1900–2500 cc: nga 325 mijë lekë në 406 mijë lekë.
- 2500–3000 cc: nga 400 mijë lekë në 500 mijë lekë.
- 3000–4500 cc: nga 500 mijë lekë në 625 mijë lekë.
- Mbi 4500 cc: nga 800 mijë lekë në 1 milion lekë.
Rritje të ngjashme pësojnë edhe kamionçinat, furgonët dhe kamionët, sipas kapacitetit të tyre:
- Mjetet deri në 1.5 tonë: nga 400 mijë lekë në 500 mijë lekë.
- 1.5–3.5 tonë: nga 600 mijë lekë në 750 mijë lekë.
- 3.5–10 tonë: nga 850 mijë lekë në rreth 1.06 milion lekë.
- 10–15 tonë: nga 1 milion lekë në 1.25 milion lekë.
- Mbi 15 tonë: nga 1.2 milion lekë në 1.5 milion lekë.
Ekspertët parashikojnë se rritja e çmimeve referuese do të ndikojë drejtpërdrejt në çmimet përfundimtare të automjeteve të përdorura në tregun vendas, duke favorizuar gjithashtu blerjen e automjeteve me zero kilometrazh nga koncesionarët.
Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor, gjatë periudhës Janar–Nëntor 2025 janë regjistruar për herë të parë 89.654 mjete, prej të cilave 73.066 autovetura. Nga këto, mbi 55% janë mjetet 8–15-vjeçare, 25% mbi 15-vjeçare, 5.1% 5–7-vjeçare dhe 14.7% 0–4-vjeçare. Korea e Jugut kryeson listën e importit, ndjekur nga Gjermania, Italia, Kina dhe Zvicra.




