Rruga e harruar/ 4 kilometra izolim po zbrazin Drenien: fermerët pa treg, të rinjtë largohen nga fshati se mbetën pa u martuar

Patos – Vetëm katër kilometra rrugë ndajnë fshatin Siqecë me Drenien në bashkinë e Patos, por mungesa e investimeve serioze në këtë segment ka kthyer jetën e banorëve në një sfidë të përditshme, duke sjellë izolim dhe braktisje të zonës.
Banorët e Drenies thonë se amortizimi i rrugës ka ndikuar drejtpërdrejt në ekonominë lokale dhe në largimin gradual të familjeve. Sipas tyre, segmenti është shtruar rreth dy vite më parë me rërë bituminoze, por sot është dëmtuar rëndë në shumë pjesë, duke u kthyer në “gropa-gropa”.
Rrugë e dëmtuar dhe mungesë infrastrukture
Sipas banorëve, mungesa e kanalizimeve anësore ka përkeqësuar më tej gjendjen, pasi ujërat kanë gërryer asfaltin dhe kanë shtuar dëmtimet. Qarkullimi me automjete është bërë i vështirë dhe shpesh i rrezikshëm, sidomos gjatë reshjeve.
Ata tregojnë se për të shkuar drejt Patos u duhet të paguajnë rreth 50 mijë lekë të vjetra për transport, ndërsa më afër kanë Roskovec nga krahu i Vloshit, por lidhja infrastrukturore mbetet problematike.
Fermerët: prodhimi mbetet stok
Fermerët e zonës shprehen se vaji i ullirit dhe prodhimet bujqësore po u mbeten stok, pasi rruga e amortizuar ua vështirëson ndjeshëm daljen në treg. Ata thonë se prej vitesh nuk ka pasur investime serioze dhe se zona po përballet me mungesë vëmendjeje institucionale.
Shkolla e mbyllur dhe emigrimi i të rinjve
Problemet sociale janë po aq të thella sa ato ekonomike. Shkolla e fshatit është mbyllur prej tre vitesh për shkak të mungesës së nxënësve, ndërsa shumë familje janë larguar drejt Fier dhe zonave të tjera urbane.
Banorët shprehen se edhe të rinjtë po largohen për të krijuar familje në qytet, pasi kushtet në fshat nuk i mbajnë më.
“Djemtë e fshatit ikin në Fier edhe për të krijuar familje, sepse këtu nuk do të vijë askush të jetojë në këto kushte”, shprehen banorët.
Bashkia: ndërhyrje me mundësitë ekzistuese
Nga ana tjetër, përfaqësues të bashkisë thonë se janë bërë ndërhyrje të pjesshme sipas mundësive buxhetore, por projekti kërkon investim të plotë.
“Ne kemi bërë aq sa kemi mundur në bazë të buxhetit që kemi. Ky segment kërkon investim serioz dhe kemi planifikuar të kërkojmë mbështetje nga FSHZH për rehabilitimin e plotë të rrugës Siqecë–Drenie”, u shpreh një përfaqësues i bashkisë.
Thirrja e banorëve
Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente, duke paralajmëruar se çdo vit që kalon po thellon izolimin dhe po përshpejton zbrazjen e fshatit. Sipas tyre, mungesa e rrugës po shkatërron jo vetëm ekonominë, por edhe jetën sociale të komunitetit.




