Sarandë | Goditet kultivimi i kanabisit në ambiente të mbyllura, arrestohet një 30-vjeçar
Policia e Vlorës ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Green Flat”, duke goditur një rast të kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura, në qytetin e Sarandës.
Gjatë operacionit, shërbimet e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Vlorë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Sarandë dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Vlorës, zbuluan një apartament të përshtatur për kultivimin, tharjen dhe përpunimin e kanabisit, në një pallat në rrugën “Butrinti”.
Si rezultat:
- U sekuestruan 260 bimë narkotike kanabis
- 26.6 kg lëndë narkotike kanabis e përpunuar, gati për shitje
- Pajisje elektrike të specializuara (70 llamba me reflektorë, siguresa, vazo kultivimi)
- 1 automjet dhe 3 aparate celularë
Në flagrancë u arrestua shtetasi E. P., 30 vjeç, banues në Tiranë, i cili u kap brenda apartamentit duke u kujdesur për bimët narkotike. Ndërkohë, është shpallur në kërkim bashkëpunëtori i tij, M. Q., 26 vjeç, banues në Korçë.
Nga hetimet rezultoi se ambienti furnizohej me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike. Në lidhje me këtë rast, u proceduan penalisht 4 punonjës të OSHEE Sarandë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Policia vijon punën për kapjen e personit të shpallur në kërkim dhe për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.




