Sarandë/Vlorë – Shpallje në kërkim për vendosje eks*lozivi, arrestime dhe ngjarje të ndryshme kriminale

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë ka bërë me dije një sërë ngjarjesh dhe veprimesh policore të regjistruara gjatë 24 orëve të fundit në territorin e Sarandës dhe Vlorës.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit në Komisariatin e Policisë Sarandë kanë referuar materialet në Prokurori dhe kanë shpallur në kërkim shtetasin D. Gj., 54 vjeç, banues në Lezhë, i dyshuar për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, “Kanosja” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”. Sipas hetimeve paraprake, ai dyshohet se ka vendosur lëndë plasëse në automjetin e shtetasit M. Gj., 57 vjeç. Policia vijon punën për lokalizimin dhe kapjen e tij, ndërsa materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë.
Po në Sarandë, specialistët e Seksionit të Trafikut Urban dhe Interurban kanë arrestuar në flagrancë shtetasin E. D., 21 vjeç, banues në Sarandë, i cili, duke drejtuar automjetin, është përfshirë në një aksident rrugor dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes. Nga verifikimet rezultoi se i riu nuk ishte i pajisur me leje drejtimi.
Ndërkohë, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë kanë arrestuar në flagrancë shtetasin K. P., 45 vjeç, banues në Himarë, për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Përndjekja”. Ai dyshohet se ka përndjekur dhe ka ushtruar dhunë psikologjike të vazhdueshme ndaj ish-bashkëshortes së tij. Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë e Sarandës.
Nga ana tjetër, në qytetin e Vlorës, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve kanë referuar materialet në Prokurori lidhur me një ngjarje të ndodhur në lagjen “Uji i Ftohtë”, ku automjeti që drejtohej nga shtetasi V. L., 20 vjeç, është përfshirë nga flakët dhe është djegur plotësisht. Fatmirësisht, nga zjarri nuk ka persona të lënduar. Nga hetimet paraprake dyshohet se zjarri ka rënë si pasojë e një defekti teknik gjatë kohës që automjeti ishte në lëvizje.
Grupi hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon veprimet për përcaktimin e saktë të shkaqeve të rënies së zjarrit.




