Scoop i rremë për ndotjen në Vjosë: Pamjet e deputetes Dhima tregojnë ligatina, jo naftë

Disa media online dhe kombëtare kanë raportuar gabimisht ditën e sotme për një ndotje me naftë në grykëderdhjen e Vjosës, bazuar në një video të shpërndarë nga deputetja e PS-së në Fier, Antoneta Dhima. Në pamjet ajrore të publikuara prej saj, disa media kanë interpretuar zonat e errëta në ujë si gjurmë ndotjeje nga hidrokarburet.
Megjithatë, ekspertë sqarojnë se ato zona nuk janë të ndotura me naftë, por janë ligatina të cekëta me fund rëre dhe bimësi nënujore, të cilat në stinën e verës marrin një ngjyrë të errët për shkak të avullimit të ujit dhe uljes së nivelit, si dhe pranisë së algave dhe lëndëve organike (tanina, humus).
Në fund të videos së publikuar, sipas analizës së bërë mbi pamjet, duket qartë edhe gryka e Vjosës, me ujë të pastër dhe të kaltër, pa asnjë shenjë ndotjeje të dukshme.
Edhe pse ndotja në lumin Vjosa ekziston dhe është trajtuar nga ekspertë të mjedisit, pamjet e shpërndara nuk janë provë e një ndotjeje me naftë, siç u raportua në disa media, por një keqinterpretim vizual i një fenomeni natyror.
Në këtë rast, është ngritur shqetësimi për nxituar në raportim, pa verifikim të mjaftueshëm të fakteve dhe pamjeve, duke krijuar një lajm të pasaktë.
Çfarë janë ligatinat e errëta:
Ligatinat e errëta janë zona të cekëta me ujë pranë bregdetit ose lumenjve, ku uji përzihet me rërë, baltë dhe bimësi nënujore. Për shkak të algave dhe substancave natyrore si taninat, këto zona marrin ngjyrë të errët nga sipër, sidomos në verë. Nuk janë ndotje, por një fenomen natyror. /FIERIWEB.COM




