Seanca maratonë në Gjykatë për Sokol Mjacajn, detaje nga hetimet për vrasjen e bujshme në Burgun e Peqinit
Gjykata e Elbasanit ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për Sokol Mjacajn dhe 11 zyrtarë të burgut të Peqinit, ndërsa një prej efektivëve të ndaluar është lënë në masën e sigurisë “detyrim paraqitje”.
Bëhet fjalë për efektivin Vilson Shima, shefi i regjimit në burg, të cilin gjykata e ka liruar nga burgu me arsyetimin se ka një fëmijë të paralizuar.
Gazetarja e Fax News, Entela Duka na bën me dije detaje të plota nga seanca e sotme gjyqësore, e cila zgjati për rreth 6 orë. Mes zyrtarëve të akuzuar për “shpërdorim detyre” që mbeten në burg është dhe drejtori i burgut të Peqinit, Kamber Hoxha.
Sakaq autori i vrasjes së Arben Lleshit, Sokol Mjacaj është shfaqur i qetë në seancën , ndërsa i ka kërkuar trupit gjykues të mos filmohej nga media. Ndërkohë në pretendimet e saj mbrojtja ka kërkuar që dosja të mos jetë e përbashkët e për pasojë të ndahen përgjegjësitë dhe funksionet e punonjësve të burgut. Pala mbrojtese pretendoi se disa prej efektivëve nuk kanë lidhje me vendin ku ka ndodhur ngjarja, pasi shërbejnë në sektorë të tjerë.
Drejtori i burgut të Peqinit Kamber Hoxha ka deklaruar se prej disa kohësh ka dërguar shkresa për mos funksionimin e sistemit të monitorimit. Sipas tij burgu i Peqinit ndonëse burg i sigurisë së lartë ishte shndërruar në hotel dhe se kishte shumë mangësi në funksionim.
Veç medias edhe familjarët e të ndaluarve nuk janë lejuar në seancë sot. Ata pritën me ankth vendimin në ambjentet e jashtme të gjykatës ku në fund pati dhe lot për verdiktin që dha gjykata e Elbasanit.
Më 15 Dhjetor Sokol Mjacaj vrau me armë zjarri pistoletë me mulli brenda burgut të Peqinit Arben Lleshin dhe u plagos Indrit Shaqjan.
Autoritetet kanë dyshime se kemi të bëjmë me një vrasje me pagesë. Ka dyshime se nga punonjësit e shërbimit, nuk kanë përmbushur detyrat funksionale, pasi nuk kanë kryer kontrollin fizik, në hyrje-daljet e Mjacajt nga qelia, dhe as kur ai është transferuar nga një godinë në një tjetër.
Verifikimet e para kanë zbuluar, se edhe kontrolli me skaner, ka qenë jashtë shërbimit për disa ditë, e po ashtu ka patur probleme dhe me një pjesë të kamerave të sigurisë. Vënia e skanerave jashtë përdorimit e ka “dorëzuar” sigurinë e kontrolleve tek elementi njerëzor që është i ekspozuar ndaj gabimit si për shkak të korrputimit ashtu edhe nga gabimet e mundshme.
Burime bëjnë me dije se shqetësimet për sigurinë në burgun e Peqinit kanë nisur që prej muajit tetor, edhe pse gjithçka është mbajtur larg vëmendjes së publikut, dhe pa transparencë. Si pasojë e këtyre problemeve, rreth tri javë më parë, drejtori i mëparshëm i burgut është shkarkuar. Drejtimin e burgut të Peqinit e ka marrë titullari i ri, Kamber Hoxha, që drejtonte institucioni edhe ditën e ngjarjes së rëndë.
Mgjes