Shembet 20 metra rrugë në Usojë, asfalti përfundon në oborrin e një banese – banorët denoncojnë mungesë standardesh

Reshjet e ditëve të fundit kanë shkaktuar shembjen e një segmenti rrugor prej rreth 20 metrash në rrugën e re të rikonstruktuar të fshatit Usojë, në Bashkinë Mallakastër. Si pasojë e rrëshqitjes së dheut dhe asfaltit, një pjesë e konsiderueshme e rrugës ka përfunduar në oborrin e një banese private.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:00 të ditës së djeshme, duke rrezikuar banesën e familjes Kamaj. Fatmirësisht, në momentin e rrëshqitjes nuk ndodhej asnjë person në oborr. Bektash Kamaj shprehet se për situatën është njoftuar nga prindërit e alarmuar, ndërsa thekson se banorët prej kohësh kishin ngritur shqetësime për cilësinë e punimeve.
Sipas tyre, reshjet nxorën në pah mungesën e standardeve bazë teknike, si mosndërtimi i mureve mbajtëse për mbrojtjen nga erozioni dhe mungesa e kanaleve anësore kulluese.
Aktualisht, rruga është e pakalueshme. Përgjegjësi i infrastrukturës në Drejtorinë e Bashkisë Mallakastër, Kasëm Saliaj, pohon se po punohet për pastrimin e inerteve nga oborri i banesës dhe se është njoftuar firma zbatuese e projektit, e cila pritet të ndërhyjë ditën e nesërme.
Segmenti prej 1.5 kilometrash është pjesë e projektit për rikonstruksionin e rrugëve në fshatrat Belistan, Usojë dhe Drenovë e Re. Punimet janë realizuar nga kompania “Llazo sh.p.k”, e shpallur fituese nga Bashkia Mallakastër.
Ndërkohë, banorët e Usojës shprehin zhgënjimin e tyre dhe paralajmërojnë se edhe segmente të tjera të kësaj rruge paraqesin rrezik.




