Shifrat/ Nga Luiz Ejlli, Noizy, Elvana Gjata dhe Dafina Zeqiri, kush ishin artistët më të paguar këtë verë dhe ata që “u braktisën” nga publiku
Sezoni veror sapo ka përfunduar, duke lënë pas një verë të nxehtë e me shumë aktivitete, që kryesisht ishin përqendruar te zonat bregdetare.
Për artistët ka qenë një sezon i ngjeshur, ku shumica prej tyre ka pasur një agjendë të ngjeshur. Madje, ka pasur nga ata që kanë pasur më shumë sesa një koncert në mbrëmje. Por si çdo verë, edhe këtë herë, VIP-at tanë kanë pasur ulje apo ngritje në kërkesat e tyre e për rrjedhojë edhe pagesat e tyre kanë qenë të luhatshme.
Disa nga personazhet që vitin e shkuar kanë qenë në top më të paguarit, duket se këtë vit kanë rënë “nga froni” shkruan Panorama Plus
Më konkretisht, i pari që ka pasur humbjen më të madhe në koncertet e tij ka qenë Donald Veshaj. Nëse i rikthehemi verës së vitit të shkuar, aktori ishte ndër artistët që më së shumti kërkohej në koncerte. Pagesat për të kapnim vlerat deri në 10 mijë euro në koncertet jashtë vendit tonë. Por, verën që sapo lamë pas, krejt ndryshe ka qenë situate për të. Disi më i tërhequr nga tregu muzikor, Donaldi i ka pasur më të rralla ftesat, por edhe pagesat. Vitin e shkuar, ai sapo kishte mbyllur eksperiencën e tij në Big Brother, vëmendja për të ishte shumë e madhe, dukë përfshirë këtu edhe marrëdhënien e tij me Bora Zemanin.
Ndaj edhe kudo që ai ishte prezent, salla mbushej plot. Vëllezërit Veshaj priteshin kudo me entuziazëm, duke u shndërruar në dyshen më të kërkuar për publikun. Por këtë verë, ndryshe nga Donaldi, më i kërkuar ka qenë Romeo. Që pas këngës së tij me Ledrin, Romeo pati një fluks në koncertet e tij, megjithatë larg suksesit të vitit të shkuar.
Një emër tjetër që këtë verë pati më pak koncerte, ishte edhe Elvana Gjata. Që pas koncertit që realizoi në Tiranë, në qershor, vetë këngëtarja preferoi që të ishte më selektive në përzgjedhjet e vendeve ku do të performonte. Megjithatë, pagesat për të kanë kapur sërish vlerën e 5 mijë eurove, duke u shndërruar në një nga artistet më të paguara.
Nëse do të kishte një femër që padyshim do të ishte ndër më të paguara dhe të kërkuarat këtë verë, ajo është padyshim Dafina Zeqiri. Artistja përgjatë gjithë verës, lançoi disa produksione të reja, që shumë shpejt u shndërruan në hite vere. E kërkuar në shumë clube në Shqipëri, Kosovë e diasporë, praktikisht këngëtarja nuk ka pasur asnjë moment pushim. Ndryshe nga verat e shkuara, ku tarifat për të u ulën, sërish Dafina u ngjit në krye të listës, si një nga këngëtaret më të paguara këtë verë.
Nuk kishte sesi të ishte në listën e më të paguarve edhe Luizi. Fenomeni i Big Brother, pati një sezon të ngjeshur me koncerte, ku pagesat për të u “çmendën” deri në 30 mijë euro. Pa dyshim që këngëtari ishte ndër më të paguarit e sezonit, duke qenë edhe më i kërkuari. Thuajse përgjatë gjithë verës, ai ka pasur nga 2 koncerte për natë, duke mbajtur elektrizuar publikun që e ka dëgjuar live.
Megjithatë, edhe Luizi është treguar selektiv me vendet që ka zgjedhur. Duke mos pasur asnjë negocim me çmimin, Luizi ka zgjedhur me kujdes edhe vendet ku ka intepretuar, duke refuzuar kështu disa oferta. Megjithatë, në mes të sezonit, ai u tërhoq për disa ditë nga koncertet. Duke anuluar shumë ftesa, ai ka gjetur kohë që të shkëputet të paktën 2 herë për të pushuar. Ndonëse në pikun e gushtit, ai zgjodhi që 1 javë t’ia dedikonte Kiarës dhe pushimeve me të, duke hequr dorë nga koncertet.
E meqë jemi te “Big Brother”, nuk mund të linim pa përmendur edhe Armando Kllogjerin. Qëkur la shtëpinë e “Big Brother”, “Maestro” iu rikthye netëve “live”, vetëm se këtë herë pagesat për të ishin dyfishuar. Një sezon i ngjeshur ka qenë edhe për të, duke marrë pagesa deri në 3 mijë euro për netët live ku edhe ka qenë i ftuar.
Një regres të fortë do ta quanim atë që ka ndodhur me Taynën. Pak vite më parë, artistja nga Kosova u ngjit shpejt në tregun e më të kërkuarve. Pagesat për të varionin nga 8 deri në 12 mijë euro. Por duket se gjërat kanë ndryshuar ndjeshëm për këngëtaren. Koncertet për të këtë verë kanë qenë më të rralla dhe pagesat janë ulur, duke shkuar në gjysmën e asaj që merrte përpara. Megjithatë, ajo ka vijuar të jetë provokuese në skenë, duke e elektrizuar atë.
Një emër që praktikisht është larguar ndjeshëm nga koncertet është Nora Istrefi. Gjithnjë e më shumë këngëtarja kosovare është larguar nga netët live, ndonëse dikur qendronte në majë të artisteve më të paguara. Koncertet e Norës për këtë verë, mund të numërohen me gishtat e dorës, duke bërë disa hapa pas në karrierën e saj. Çmimet për të gjithashtu kanë zbritur, duke arritur në shumën e 2 mijë eurove.
Një verë jo shumë të ngjeshur ka pasur edhe e motra, Era Istrefi. Nëse disa vite më parë, ajo ishte shndërruar në një fenomen, duke korrur edhe suksese ndërkombëtare, që pas rikthimit të saj në skenën muzikore, për Erën nuk është gjendur shumë vend. Ndonëse solli disa këngë që u shndërruan në hite, Era sërish nuk ka pasur një sezon si vitet e para të karrierës së saj.
Shumica e koncerteve të saj kanë qenë në jug të vendit tonë, ku pas disa orëve muzikë, ajo ka përfituar edhe për tu shplodhur. Le të ndalojmë pak edhe tek reperat dhe sezoni që ata kanë pasur këtë verë. Ndonëse ndër personazhet më të kërkuar në koncerte, tarifat për ta kanë rënë.
E njëjta situatë ka qenë për Getoarin, Noizy-n madje edhe për Ledrin e Capital T. Getoari ka zgjedhur që përgjatë verës të jetë më selektiv në koncertet që përzgjedh. Megjithatë, tarifat për nga 6 deri në 8 mijë euro nga zbritur në 5 mijë euro në netët e tij më të mira.
E njëjta ka qenë tabloja dhe për Noizyn, që ndonëse ka sjellë disa produksione të reja, çmimet kanë shkuar në 5 mijë euro. Koncertet e tij janë përqëndruar kryesisht në Kosovë e Shqipëri, duke pasur më pak net live në diasporë.
Ndër më të paguarit ka qenë edhe Ledri, ku është paguar deri në 6 mijë euro në netët live, ndryshe nga vitet e shkuara, ku pagesat kapnin vlerat marramendëse të 10 mijë eurove.
Një tjetër reper që ka zbritur ndjeshëm nga shifrat e mëparshme, por edhe nga kërkesa për koncerte ka qenë Gjiko. Ndryshe nga vitet e shkuara ku është paguar deri në 4 mijë euro, këtë sezon çmimet për të janë përgjysmuar.
Dukshëm, kjo ka qenë stina e meshkujve artistë, që kanë pasur një numër më të lartë koncertesh, por edhe pagesash, ndryshe nga femrat artiste, që dukshëm kanë humbur terren përballë kolegëve të tyre.