Shkëmbim Eksperiencash mes Shkollave Profesionale të Fierit dhe Serbisë për Të Rinjtë

Në kuadër të binjakëzimit të shkollave të mesme profesionale, “Rakip Kryeziu” në Fier dhe “Pirot” në Serbi, një përfaqësi e shkollës serbe ndodhet për një vizitë disa-ditore në Fier. Ky program zhvillohet si pjesë e projektit RYCO Superschool, i cili mbështetet nga disa donatorë dhe ka në fokus krijimin e mundësive për të rinjtë për t’u angazhuar në aktivitete që promovojnë mirëkuptim dhe pajtim në fushat qytetare, arsimore, sportive dhe kulturore.
Koordinatori i projektit, Mirush Zotaj, theksoi se RYCO është një organizatë ndërqeveritare OJF që drejton dhe promovon bashkëpunimin rajonal dhe ndërkulturor të të rinjve midis gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Nga ana tjetër, koordinatore e projektit nga Serbia, Dusica Goluboviç, e emocionuar nga vizita e parë në Shqipëri dhe në Fier, u shpreh se projekti promovon dialogun ndërkulturor përmes aktiviteteve mbi barazinë gjinore, empatinë, ekologjinë dhe njohjen e kulturave dhe traditave të ndryshme.
Ky shkëmbim eksperiencash ndërmjet dy shkollave profesionale synon inkurajimin e bashkëpunimit reciprok dhe krijimin e lidhjeve të qëndrueshme midis të rinjve të dy komuniteteve. Projekti financohet nga Bashkimi Europian dhe Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, dhe zbatohet nga GIZ dhe RYCO.




