‘Shkërmoqet’ organizata kriminale në Itali, gjenden 3.2 milionë euro të fshehura brenda mureve të një shtëpie

Policia italiane ka zbuluar 3.2 milionë euro (mbi 3.6 milionë dollarë) në para të gatshme, të fshehura brenda mureve të një shtëpie, gjatë një operacioni kundër një organizate kriminale të dyshuar për lidhje me mafien pranë Napolit.
Paratë, kryesisht në kartëmonedha prej 50 eurosh të mbështjella me plastikë, u gjetën pasi efektivët çanë muret e një prone në Caivano. Gjithashtu u gjetën 11 orë luksoze me vlerë mbi 127.000 euro.
Agjencia italiane e lajmeve ANSA raportoi në fillim të kësaj jave se operacioni kishte në shënjestër 34 të dyshuar, 23 prej të cilëve u urdhëruan të mbaheshin në paraburgim, ndërsa 11 të tjerë u vendosën në arrest shtëpie.
Hetuesit besojnë se organizata kishte lidhje me klanin Angelino, i cili vepron në Caivano dhe Casoria dhe ishte i përfshirë në trafikun e drogës dhe zhvatje.
Sipas ANSA-s, bashkëpunëtorët e drejtësisë luajtën një rol vendimtar në hetim. Gjatë kontrollit të banesës së një personi që besohet se ishte ndër drejtuesit e grupit, karabinierët gjetën 3.2 milionë euro në para të gatshme.
Hetimi, i cili përfshiu aktivitetet e periudhës nga viti 2021 deri në korrik 2025, dokumentoi gjithashtu mënyrën se si organizoheshin operacionet e dyshuara të shitjes së drogës, me dërgesa të rregullta dhe afate të përcaktuara pagesash.
Hetuesit thanë se disa prej operacioneve të shitjes së drogës menaxhoheshin kryesisht brenda familjeve, me qëllim kufizimin e përfshirjes së personave të jashtëm.




