Shkodër – Arrestohet babai dhe një i ri për vrasjen e 20-vjeçarit Pavlin Preka

Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për Vasel Koçekun, 43 vjeç, dhe Klaudio Lisajn, 20 vjeç, të dyshuar si autorë të vrasjes së 20-vjeçarit Pavlin Preka, ngjarje e ndodhur më 20 shkurt në zonën e Gucisë së Re, njësia administrative Rrethina.
Vendimi u mor pas kërkesës së Prokurorisë së Shkodrës, e cila kërkoi masën më të rreptë të sigurisë për dy të dyshuarit. Prokurori Albert Murçaj bëri me dije se ekzistojnë përgjime ambientale, disa prej të cilave mbeten sekret hetimor, që sipas tij forcojnë dyshimet për autorësinë e tyre.
Nga ana e tyre, avokatët mbrojtës Arbër Raja dhe Blerim Bazhdari kërkuan mosvendosjen e ndonjë mase sigurie, duke argumentuar se nuk ekzistojnë prova konkrete që i lidhin drejtpërdrejt me vrasjen. Të dy të dyshuarit mohuan çdo përfshirje në krim, duke deklaruar se nuk kanë qenë në vendngjarje.
Sipas hetimeve, vrasja dyshohet se ka lidhje me një konflikt familjar mbi një lidhje të mundshme romantike. Viktima Pavlin Preka, 20 vjeç, kishte shfaqur interes për vajzën e Koçekut, e cila aktualisht është 16 vjeçe. Sipas burimeve, konflikti ka nisur rreth tre vite më parë, kur Preka i kishte kërkuar dorën vajzës, e cila atëherë ishte vetëm 13 vjeçe, por kërkesa ishte refuzuar nga babai.
Hetimet dyshojnë se mëngjesin e 20 shkurtit, Klaudio Lisaj e nxori Pavlin Prekën nga banesa e tij, ndërsa Vasel Koçeku dyshohet se qëlloi me armë zjarri, duke shkaktuar vdekjen e menjëhershme të të riut. Trupi i pajetë i 20-vjeçarit u gjet disa orë më vonë nga familjarët.
Familjarët e viktimës kanë deklaruar se Pavlin Preka nuk kishte konflikte të njohura dhe jetonte mes Shkodrës dhe Dukagjinit.
Dy të dyshuarit janë arrestuar në kuadër të operacionit policor të koduar “Pesha e Krimit” dhe dyshohen për veprat penale “Vrasja me paramendim e kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.




