Shkolla “Liri Gero” Fier, reagon ndaj pretendimeve: Transferimi i nxënëses u krye sipas procedurave, mohon akuzat për sjellje të papërshtatshme
Drejtoria e shkollës 9-vjeçare “Liri Gero” ka reaguar përmes një deklarate sqaruese lidhur me pretendimet e publikuara në disa portale për trajtimin e ish-nxënëses M.R. dhe prindërve të saj, duke theksuar se këto pretendime nuk pasqyrojnë faktet reale.
Sipas shkollës, prindërit janë thirrur në ambientet e institucionit pasi gjatë javëve të fundit të tetorit 2025, nxënësja nuk kishte frekuentuar rregullisht mësimin. Drejtoria sqaron se ndjekja e frekuentimit dhe bashkëpunimi me prindërit janë detyrime ligjore të institucionit arsimor.
Në deklaratë thuhet se gjatë takimit, prindërit kanë bërë me dije se vajza ishte transferuar në një shkollë tjetër, por në atë moment ajo rezultonte ende e regjistruar në sistemin SMIP të shkollës “Liri Gero”. Për këtë arsye, sipas Drejtorisë, prindërit kishin detyrimin ligjor të siguronin frekuentimin e saj deri në përfundimin e procedurave të transferimit.
Shkolla mohon pretendimin se ka penguar transferimin e nxënëses, duke theksuar se procedurat nuk varen nga vendimmarrja e Drejtorisë dhe se transferimi është realizuar më 4 nëntor 2025, në përputhje me procedurat ligjore.
Po ashtu, Drejtoria hedh poshtë akuzat se prindërit janë “ndjekur” apo se psikologia e shkollës ka shfaqur sjellje tallëse ndaj tyre, duke theksuar se komunikimi është zhvilluar me respekt dhe profesionalizëm, në përputhje me Kodin e Etikës së punonjësve të arsimit.
Në reagim sqarohet gjithashtu se nuk është kërkuar asnjëherë që prindërit të komunikonin me shërbimin psiko-social dhe se gjatë kohës që M.R. ishte nxënëse në shkollë, ajo nuk ishte referuar për problematika emocionale apo të sjelljes, as nga mësuesit dhe as nga prindërit.
Në përfundim, Drejtoria e shkollës “Liri Gero” thekson se mbetet e angazhuar për respektimin e të drejtave të çdo nxënësi dhe prindi, duke garantuar se veprimtaria e institucionit zhvillohet në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe me interesin më të mirë të nxënësve.:
DEKLARATË SQARUESE:
Në lidhje me pretendimet e publikuara në disa portale lidhur me trajtimin e ish- nxënëses M.R. dhe të prindërve të saj, Drejtoria e shkollës “Liri Gero” sqaron opinionin publik se këto pretendime nuk pasqyrojnë faktet reale.
Bëjmë me dije se prindërit e nxënëses janë paraqitur në ambientet e shkollës me kërkesë të Drejtorisë, pasi gjatë javëve të fundit të muajit tetor 2025, nxënësja në fjalë nuk kishte frekuentim të rregullt të procesit mësimor. Pjesë e detyrimit ligjor dhe institucional të shkollës është ndjekja e frekuentimit të nxënësve dhe bashkëpunimi me prindërit në rastet e mungesave të vazhdueshme.
Gjatë takimit, prindërit deklaruan se arsyeja e mosparaqitjes së vajzës në shkollë ishte transferimi i saj në një shkollë tjetër. Drejtoria i informoi se, në atë moment, nxënësja rezultonte ende e regjistruar në sistemin SMIP të shkollës “Liri Gero” dhe, për sa kohë nuk ishte përfunduar procedura e transferimit, ata kishin detyrimin ligjor të siguronin frekuentimin e saj në shkollë, në zbatim të legjislacionit në fuqi që parashikon arsimi 9-vjeçar i detyrueshëm.
Gjatë bisedës, prindërit shprehën pakënaqësinë e tyre dhe pretenduan se Drejtoria po pengonte transferimin e nxënëses. Ky pretendim nuk qëndron, pasi procedurat e transferimit nuk varen nga vullneti apo vendimmarrja e Drejtorisë së shkollës. Në fakt, transferimi i nxënëses në një shkollë tjetër është realizuar më vonë dhe pikërisht më datë 04.11.2025, sipas procedurave përkatëse.
Po ashtu, nuk janë të vërteta pretendimet se prindërit janë “ndjekur” nga Drejtoria apo se psikologia e shkollës ka shfaqur sjellje tallëse ndaj tyre. Gjatë gjithë komunikimit, prindërit janë trajtuar me respekt, profesionalizëm dhe në përputhje me Kodin e etikës së punonjësve të arsimit dhe legjislacionin në fuqi.
Nuk është kërkuar asnjëherë nga prindërit e nxënëses komunikimi me shërbimin psiko- social. Nxënësja M.R., gjatë kohës që vijonte studimet në shkollën “Liri Gero”, nuk është referuar as nga mësuesit e as nga prindërit për problematika emocionale ose të sjelljes te SHPS i shkollës. Gjithashtu, edhe nga vëzhgimet e realizuara nga SHPS i shkollës, nxënësja në fjalë nuk është evidentuar si nxënëse me problematika.
Drejtoria dhe i gjithë stafi i shkollës “Liri Gero” janë të angazhuar për respektimin e të drejtave të çdo nxënësi dhe prindi, si dhe për ndërtimin e një komunikimi korrekt e bashkëpunues me komunitetin.
Shkolla “Liri Gero” garanton se të gjitha strukturat dhe organet e saj funksionojnë në përputhje me legjislacionin në fuqi, aktet nënligjore dhe rregulloret që rregullojnë veprimtarinë e institucioneve arsimore, duke vendosur në qendër interesin më të mirë të nxënësit dhe respektimin e të drejtave të të gjithë aktorëve të komunitetit shkollor.
Me respekt,
Drejtoria e shkollës




