Shkrumbohet nga flakët një banesë e pabanuar në Kosovë e Vogël, dyshohet zjarrvënie e qëllimshme

Një banesë e pabanuar është shkrumbuar plotësisht nga flakët në fshatin Kosovë e Vogël, njësia administrative Fiershegan. Në vendngjarje kanë mbërritur me urgjencë forcat zjarrfikëse të Lushnjës, si edhe efektivë të Policisë së Shtetit.
Zjarrfikësit kanë bërë të mundur vënien nën kontroll të flakëve, ndërsa policia ka nisur veprimet procedurale, pasi dyshohet se zjarri mund të ketë qenë i qëllimshëm.
Banesa ishte në pronësi të shtetasit Fiqiri Nexha dhe prej vitesh ishte e pabanuar, pasi pronari nuk jetonte aty. Sipas burimeve, Nexha i kishte lënë porosi një fqinji që të kujdesej për banesën, të cilën e vizitonte vetëm herë pas here. Ka qenë pikërisht fqinji ai që, pasi ka konstatuar flakët, ka njoftuar menjëherë shërbimin zjarrfikës.
Policia po vijon hetimet për të zbardhur shkaqet e rënies së zjarrit.




