Shoqërimi i një 14-vjeçari pasi hodhi kapsolla në Tiranë, Komiteti i Helsinkit: Policia e dhu*oi, nuk iu dha ndihmë mjekësore dhe as psikologjike

Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka denoncuar dhunën e ushtruar ndaj një fëmije 14 vjeç, pranë zonës së Kodrës së Liqenit Tiranë, nga punonjës policie.
Në deklaratën e Komitetit Shqiptar të Helsinkit thuhet se shtetasit me inicialet O.Z dhe E.G. kane njoftuar se më datë 12.04.2025 pranë zonës së Kodrës së Liqenit Tiranë, djali i tyre J.G ishte ndaluar nga punonjësit e Policisë të Komisariatit Nr. 1, Tiranë për shkak se ishte kapur duke hedhur kapsolla.
“Në ankesën e tyre ata pretendonin se ndaj djalit të tyre punonjësit e policisë kishin ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike”,- -thuhet në deklaratën e Komitetit Shqiptar të Helsinkit.
Për verifikimin e kësaj ankese, Komiteti Shqiptar i Helsinkit thotë se dërgoi në Komisariatin Nr. 1. dy vëzhgues, të cilët thonë se në Raportin e Shoqërimit shënohej se i mituri kishte një hematomë në krahun e syrit të djathtë dhe se në dokumentacionin e kqyrur nuk rezulton që 14-vjeçari të jetë vizituar nga mjeku.
“Fakti i mësipërm u mohua nga punonjësit e policisë.
Megjithëse në raportin e përmendur më lart ishte shënuar hematoma, nuk rezultoi që i mituri të ishte vizituar nga mjeku i Komisariatit, në kundërshtim me parashikimet e Kreut IV, të Procedurës Standarde “Trajtimi dhe sigurimi i personave të arrestuar/ndaluar në ambientet e Policisë së Shtetit, evidentimi dhe zgjidhja e kërkesë/ankesave të tyre””,-thuhet në deklaratën e Komitetit Shqiptar të Helsinkit.