Shpërthim me tritol në Lezhë, lëndë plasëse i vendoset makinës së një efektivi policie

Një shpërthim me lëndë plasëse është regjistruar në orët e para të mëngjesit në qytetin e Lezhës, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Sipas informacioneve paraprake, një sasi tritoli i është vendosur një automjeti në pronësi të një efektivi policie. Burime bëjnë me dije se mjeti i përket efektivit me inicialet G.Gj., i cili shërben në strukturat e Policisë në Lezhë.
Si pasojë e shpërthimit, automjeti është dëmtuar rëndë, ndërsa janë shkaktuar edhe dëme materiale përreth. Fatmirësisht, nga ngjarja nuk raportohet për persona të lënduar.
Menjëherë pas shpërthimit, në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë dhe grupi hetimor, të cilët kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes dhe për të identifikuar autorët e vendosjes së lëndës plasëse.
Autoritetet po punojnë për të dokumentuar plotësisht ngjarjen, ndërsa po hetohet edhe nëse shpërthimi mund të ketë lidhje me detyrën e efektivit të policisë.




